“Absurditet, Hamasi ka në statut asgjesimin e Izraelit”

Tel Avivi reagon ashpër ndaj padisë së ngritur nga Afrika e Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku Izraeli akuzohet për gjenocid ndaj palestinezëve me sulmin ushtarak në Rripin e Gazës.

Në krah të sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken që u kthye për të disatën herë në 3 muaj në Tel Aviv, Presidenti izraelit Isaac Herzog e konsideroi padinë si gjënë më mizore dhe absurde që mund të ndërmerret kundër Izraelit.

“Armiku ynë është Hamasi që në aktin themeltar të tij ka shkatërrimin dhe zhdukjen e shtetit të Izraelit, të vetmit shtet kombëtar të popullit hebre. Dhe ne duhet tani, prej hipokrizisë së Afrikës së Jugut të dalim para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, tha ai.

Në padinë e Afrikës së Jugut kërkohet të dënohet gjenocidi izraelit ndaj civilëve në Rripin e Gazës, të ndalohet urgjentisht lufta, shpërngulja e detyruar e banorëve dhe të lejohet hyrja e ndihmave humanitare.

Seanca e parë dëgjimore në Gjykatën e Hagës është planifikuar për në 11 dhe 12 Janar. Analistët thonë se vendimi i gjykatës ndërkombëtare është detyrues dhe i paapelueshëm.

Megjithatë, vendimet në disa raste injorohen pasi nuk ka mënyra për t’i zbatuar me forcë, si në rastin e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës.

Tv Klan