Kanë kaluar 24 orë nga intervista e Meghan Markle dhe Princit Harry dhe ende nuk ka asnjë reagim nga familja mbretërore e Britanisë së Madhe.

Meghan dhe Harry, të cilët janë larguar nga Pallati Mbretëror dhe jetojnë në SHBA, bënë deklarata të forta për anëtarët e familjes mbretërore.

Meghan akuzoi për racizëm, kur tha se brenda Pallatit Mbretëror flitej me shqetësim për ngjyrën e lëkurës së djalit të saj dhe Princit Harry pa lindur ende.

Po kështu ajo tha se kishte menduar edhe vetëvrasjen kur jetonte ende në Pallatin Mbretëror. Ndërsa Princi Harry deklaroi se babai i tij, Princi Charles, nuk i përgjigjet në telefon prej kohësh.

Por pavarësisht këtyre deklaratave, që konsiderohen si kriza më e rëndë në familjen mbretërore që pas vdekjes së Princeshës Diana në vitin 1997, nga Pallati Mbretëror nuk ka akoma reagime.

“Kriza mbrëtërore më e keqe në 85 vjet” shkruhet në faqen e parë të tabloidit britanik Daily Mirror, ndërsa kopertina e Daily Mail është hapur me titullin “Çfarë kanë bërë”?

Reuters raporton se ka mësuar nga një burim brenda Pallatit Mbretëror se Mbretëresha Elizabet II 94 vjeç që qëndron në fron prej 69 vitesh, ka kërkuar kohë përpara se të japë një përgjigje për deklaratat e nipit të saj dhe bashkëshortes së tij. /tvklan.al