Institucionet publike vazhdojnë të heshtin për skandalin me kompaninë ARMO. Askush nuk përgjigjet se kush është përgjegjës deri më sot për gropën e zezë që ka krijuar në ekonominë shqiptare dhe buxhetin e shtetit, rafineria më e madhe e përpunimit të naftës, me mbi 600 milione dollarë.

Plot 150 milionë dollarë taksa të papaguara ndaj organeve tatimore, nuk janë vjelur për 10 vjet rresht, në një kohë që uzina ka punuar pa më të voglin shqetësim.

Shifra është dyfish më e lartë po të llogaritesh edhe shumën prej 160 milionë dollarësh që iu fshi si efekt i ligjit për faljen e detyrimeve fiskale.

Televizioni Klan i është drejtuar zyrtarisht Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për të dhënë një sqarim lidhur me masat që ajo ka marrë për të vjelë borxhet e rafinerisë, Autoriteti Tatimor, i cili ka kallëzuar dhjetëra biznesmenë penalisht për fshehje të ardhurash edhe në vlera të papërfillshme nuk ka dhënë asnjë shpjegim. Zyrtarisht Drejtoria e Tatimeve tha që Televizioni Klan duhet të nisë me email pyetjet për të marrë sqarimin për këtë çështje.

Por refuzimi për të dhënë këtë përgjigje, vërtetohet me një tjetër fakt. Drejtorisë së Tatimeve i është nisur kërkesa zyrtare për të dhënë sqarime mbi borxhet që ka akumuluar shoqëria ARMO dhe përdoruesit e saj që në Korrik të vitit viti 2017.

Me firmë të Drejtorit të Përgjithshëm, në një shkresë nisur Kuvendit të Shqipërisë, Tatimet pranojnë së ARMO ka 84 milion dollarë detyrime ndaj saj, ndërsa 46 milionë të tjera janë krijuar nga kompania që menaxhonte rafinerinë gjatë vitit të fundit IRTC Oil.

Arsyet se përse tolerohen mbledhja e borxheve, nuk jepen.

E njëjta situatë ndodh edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Po ashtu ky insitucion nuk iu përgjigj një kërkesë për koment nga ana e Televizionit Klan.

Me një shkresë zyrtare drejtuar Kuvendit, Drejtoria e Doganave e rendit rafinerinë ARMO si një nga borxhlinjtë më të mëdhenj ndaj saj, të tretin në listë, me një vlerë prej 21 milion dollarësh, por nuk në asnjë vend nuk tregon arsyet se përse deri tani nuk vjel asnjë nga detyrimet e saj dhe kompania ka vazhduar e qetë aktivitetin.

Detyrimet e rafinerisë ndaj kompanisë së Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, janë po ashtu marrëmandëse, 1.7 milion euro. Edhe pse shumë qytetarë, të varfër e të pasur i është ndërprerë energjia për mospagesë të saj, 1.7 milion euro nuk kanë prerë energjinë për rafinerinë.

Drejtues të kompanisë OSHEE thanë për Televizionin Klan se energjia sjell efekte të tjera në këtë zonë, pasi nënstacioni në pronësi të ARMO-s furnizon edhe ujësjellësin e Mallakastrës, OSHEE thotë se ka vendosur edhe sekuestro ndaj asteve të ARMO-s dhe ka bllokuar llogaritë e saj. 

Megjithatë, tani në financat e OSHEE rezulton një gropë prej 1.7 milionë eurosh, të cilat, me largimin e amerikanit që po shfrytëzonte rafineritë e ARMO-s, do të duhet t’i paguajnë qytetarët shqiptare.

Kjo çështje u trajtua për dy ditë me radhë edhe në emisionin “Opinion” në Tv Klan, në përpjekje për të hedhur dritë mbi skandalin më të madh financiar të tre dekadave të fundit, me një shifër të përafert me atë që humbën shqiptarët neë skemat piramidale.

Tv Klan