UEFA njoftoi se do të hetojë sjelljen e sulmuesit të Austrisë pas ofendimeve ndaj shqiptarit Alioski

UEFA ka caktuar një inspektor të etikës dhe të disiplinës që të hetojë sjelljen e futbollistit të Austrisë Marko Arnautoviç.

Lojtari ofendoi rëndë futbollistin shqiptar Ezgjan Alioski që luan për Kombëtaren e Maqedonisë së Veriut.

UEFA njoftoi zyrtarisht se po e heton çështjen.

Austria mori ndaj Maqedonsië së Veriut fitoren e saj të parë në një fazë finale evropiani, por kjo ngjarje e ka zbehur gëzimin.

Arnautoviç, me origjinë serbe shënoi golin e tretë të takimit dhe më pas shpërtheu në ofendime ndaj kundërshtarit, duke e ofenduar nga nëna.

Kapiteni i Austrisë David Alaba i vuri duart në gojë deri sa e qetësoi shokun e ekipit.

Më pas, Arnautoviç kërkoi falje me një status në Instagram, ku vuri në dukje se ai nuk është racist dhe mbështet diversitetin.

Federata maqedonase në profilin e saj të “Facebook” komunikoi se i dërgoi një letër zyrtare UEFA-s, ku kërkon një dënim shembullor për Arnautoviçin, sepse është kundër nacionalizmit, diskriminimit dhe të gjitha formave të tjera të ofendimeve që nuk kanë të bëjnë me futbollin.

Klan News