SHBA dhe Izraeli kundërshtojnë

Kryeprokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Fatou Bensouda, njoftoi fillimin e hetimeve rreth dyshimeve për krime lufte nga Izraeli në territoret palestineze. Sipas saj, në këto hetime do të mbulojnë ngjarjet e dhunshme në Bregun e pushtuar Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës që nga qershori i vitit 2014.

Muajin e kaluar, gjykata me seli në Hagë vendosi të ushtrojë juridiksionin e saj për ngjarjet e ndodhura në territoret palestineze.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka juridiksion që të ndjekë penalisht personat e akuzuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në territorin e shteteve nënshkruese të Statutit të Romës.

Izraeli nuk e ka ratifikuar këtë statut, por gjykata vlerësoi se ka juridiksion të kryejë hetime në territoret palestineze, sepse sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara i ka përfshirë këto territore në traktat në vitin 2015.

Izraeli e pushtoi Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jerusalemin Lindor në Luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967. Nga ana tjetër, palestinezët synojnë që këto territore t’i bëjnë pjesë e shtetit të tyre që aspirojnë ta formojnë në të ardhmen.

Izraeli e kundërshtoi fillimin e hetimeve, ndërsa zyrtarët palestinezë e mirëpritën. Shtetet e Bashkuara, siç pritej, i dolën në krah Izraelit dhe u shprehën të zhgënjyera për nisjen e hetimeve.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Shtetet e Bashkuara “e kundërshtojnë fuqishëm” vendimin e kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare, për të nisur hetimet. Blinken tha se “SHBA-ja është thellësisht e zhgënjyer”.

Klan News