Pasuria e ish-drejtorit të Autoriteti Rrugor Dashamir Xhika do jetë subjekt i një hetimi që është nisur nga prokuroria për Krimet e Rënda krahas hetimit penal.

 Ish-numri një i rrugëve akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre në ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan.

Dëmi në këtë rast sipas hetimeve të deritanishme dhe kallëzimit të bërë nga Ministria e Infrastrukturës është 54 milionë dollarë.

 Hetuesit kanë kërkuar informacion në bankat e nivelit të dytë për të verifikuar të gjitha llogaritë e Xhikës dhe familjarëve të tij.

 Kjo për të sqaruar nëse përputhet ajo çfarë ka deklaruar ish-zyrtari me shpenzimet e kryera.

 Gjithashtu informacion është kërkuar edhe nga drejtoria e hipotekave për të identifikuar të gjitha pronat e paluajtshme që janë në emër të Dashamir Xhikës dhe familjarëve.

 Të arrestuar për abuzimet me segmentin që ka nisur punimet që në vitin 2009 dhe ende nuk kanë përfunduar janë dhe ish –vartësit e tij Albens Alite dhe Aksel Qurduka.

 Sipas prokurorisë, këta persona në bashkëpunim me ish-zyrtarë të lartë të ministrisë së Transporteve kanë krijuar një skemë korruptive. Prokuroria nuk përjashton mundësinë e lëshimit të urdhër –arresteve edhe për ish zyrtarët e lartë të Transporteve. Ish –ministri Edmond Haxhinasto është shprehur i hapur për t’u hetuar, por duke lënë të kuptohet se hetimi mund të ishte me sfond politik.

 Tv Klan