Pas regjistrimit të kallëzimit penal për Gjergj Bojaxhi, për akuzat e “Mashtrim me Kredi”, “Pastrimit të produkteve të Veprës Penale apo Veprimtarisë Kriminale” dhe “Fshehje të Ardhurash”, Prokuroria Tiranës i kërkon informacione të detajuara tatimeve, për veprimtarinë e kompanisë “Everest Oil”.

Grupi hetimor i ka dërguar një shkresë Drejtorisë së Tatimeve, ku kërkon të gjitha veprimet që admnistratori i kësaj kompanie Gjergj Bojaxhi, ka kryer. Informacioni është kërkuar që nga viti 2012, kur është regjistruar kompania “Everest Oil”.

Një shkresë tjetër u është dërguar edhe bankave të nivelit të dytë. Në të kërkohen të dhëna në lidhje me transaksionet bankare që ka kryer kompania “Everest Oil”, admnistratori i saj Gjergj Bojaxhi, si dhe të gjithë ortakët mes të cilëve figuron sërish ish – kandidati për Bashkinë e Tiranës.

Policia dhe Drejtoria e Pastrimit të Parave dyshojnë se Gjergj Bojaxhi ka ngritur një skemë mashtrimi, ku janë pastruar dhjetra miliona dollarë.

Në hetim janë transaksione prej 26 milionë dollarësh, të derdhura nga Bojaxhi në llogari të kompanisë “Everest Oil”, në periudhën 2012 – 2015. Organet ligjzbatuese kërkojnë edhe hetimin e pasurisë së Bojaxhiut dhe të familjarëve të tij të afërm. Bashkëshortja e tij rezulton aksionere në kompaninë “Superba SRL”, që zotëron kompaninë “Everest Oil”.

Ndërsa vjehrra e tij, Lumturi Hasmataj ishte aksionere “Everest Oil”. Ajo i shiti aksionet për 26 mijë euro, ndërkohë që vetëm nga shpërndarja e fitimit të kompanisë për vitin 2014, ajo ka përfituar mbi 60 milionë lekë, ose 430 mijë euro, çka për policinë konsiderohet një veprim i dyshimtë i lidhur me zinxhirin e skemës së pastrimit të parave.

Tv Klan