Policia shqiptare po jep ndihmën e saj për palën qipriote në zbardhjen e ngjarjes me katër viktima të 6 ditëve më parë ku u eliminua një biznesmen i njohur vendas.

Burime në policinë e shtetit thonë se për efekt të hetimit janë marrë në pyetje në Shqipëri familjarë të Aleks Burrelit dhe Jani Voglit, në qytetet e Tiranës, Elbasanit, Burrelit dhe Mallakastrës.

Personat e pyetur kanë mohuar që të kenë dijeni për aktivitetin kriminal të të afërmve të tyre dhe kanë dhënë shumë pak detaje që mund të ndihmojnë në hetime.

Në qytetin e Sarandës janë marrë në pyetje dy persona, që kanë lidhje shoqërore me 41 dhe 48-vjeçarin.

Aleks Burreli është shpallur në kërkim  ndërkombëtar dhe më konkretisht ai po kërkohet në vendin ku kreu krimin e vrasjes, në Greqi dhe Shqipëri.

Në vitin 2013, Aleks Burreli u arrestua pasi nuk i ndaloi policisë gjatë një kontrolli në Keratsini dhe u arratis me makinë duke rrezikuar edhe jetën e efektivëve të policisë. Ai qëndroi në paraburgim për 12 muaj.

Në vitin 2006, ai u arrestua për posedim të kokainës.

Policia qipriote ka dyshime se arma tip kallashnikov me të cilën u krye vrasja e biznesmenit qipriot dhe dy policëve të jetë siguruar në Shqipëri.

Tv Klan