Hetimet e SPAK ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i konsideron një “lajthitje” dhe akt-akuzë të bërë nga Edi Rama në Kongresin e Partisë Socialiste.

Në një konferencë shtypi nga selia e partisë që drejton, Meta bëri akuza për kapje të drejtësisë së re nga Kryeministri Edi Rama.

“Sa i takon qëndrimeve ndaj z.Berisha nga ana e prokurorëve të SPAK apo të përfaqësuesve të gjykatave, dëshiroj të shpreh edhe njëherë keqardhjen për këtë rëshqitje e cila nuk është e papritur e të së ashtuquajtës drejtësi të re e cila del anashkalon Parlamentin, del mbi Kushtetutë, mbi Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe natyrisht që ne e dimë shumë se është një akt-akuzë që në radhë të parë është bërë në Kongresin e PS nga Edi Rama. Dhe është një akt-akuzë e diktuar në çdo element prej tij i cili për çështjen e ish-klubit sportiv Partizani, siç e dini të tërë është dhe personi kryesor që ka marrë përgjegjësinë për të bërë ndërtimin e destinacionit nga një destinacion sportiv në një destinacion për ndërtim. Por po të shikoni dosjen emri i tij nuk del atje, nuk del as te inceneratorët. Mund të dali funksioni, por emri i tij jo. Përpiqet që të përdorë prokurorë të caktuar, gjykatës të caktuar, pasi e dimë të gjithë që ka kontrolluar gjithë sistemin e Vettingut që të godasi opozitën e vërtetë dhe të shfokusojë opinionin nga skandalet qindra milionë Euro, që ai i bën çdo ditë”, u shpreh Ilir Meta.

Sipas kryetarit të PL, kjo forcë politike do të jetë gjithmonë e hapur për çdo hetim.

“Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi gjithmonë të hapur për çdo hetim. Ne habitemi se si shumë çështje që deputetë, funksionarë, drejtues të Partisë së Lirisë apo opoziitës i kanë depozituar në SPAK të cilat cënojnë interesin publik, që dëshmojnë korrupsion të faktuar nuk preken pavarësisht se për to kanë firmosur deputetë, emra të njohur publik. Sepse nuk duhet t’i prishet rehati Kryeministrit, kryetarit të bashkisë këtu apo funksionarëve të tjerë të besuar ende të Kryeministrit”.


Ilir Meta: Do të shkoj në SPAK kurdo që të më thërrasin, nuk kam asnjë shqetësim nga drejtësia

I pyetur se a ka një fletëthirrje nga SPAK për çështjen e lobimit nga SHBA dhe për CEZ-DIA, Ilir Meta është shprehur se këto janë tema shumë të lodhura teksa ka shtuar se ai nuk ka asnjë shqetësim nga drejtësia.

Gjatë fjalës së tij në një konferencë për mediat, Ilir Meta ka thënë me bindje të plotë se do të shkojë në SPAK kurdo që ta thërrasin.

Pyetje: A ka ilir Meta një fletëthirrje nga SPAK për çështjen e lobimit nga SHBA, për CEZ-DIA dhe a do të paraqitet Meta në SPAK kurdo që të thirret?

Ilir Meta: Këto janë lajme tërësisht banale sepse janë të gjitha pa asnjë përmbajtje, pa asnjë materie, janë tema shumë të lodhura dhe po kështu nuk përbën asnjë lajm fakti që Ilir Meta të shkojë tek SPAK sepse ka qenë gjithmonë dhe ky është një dallim i plotë i Metës. Kam qenë në SPAK si këllëzues me letra, dokumente, kurrë nuk jam thirrur si kallëzues, ai ka qenë interesi i tyre. Kam qenë edhe si person në dijeni dhe do të shkoj kudo që të më thërrasin sepse nuk kam asnjë shqetësim nga drejtësia, sepse nuk ka asnjë akt të nënshkruar nga Ilir Meta “fap e far”, çështje të tilla nuk ekzistojnë. Kam treguar se kush e respekton ligjin dhe kush e shkel atë.

/tvklan.al