Një ditë pas aksidentit tragjik me katër viktima, ndodhur në aksin Velipojë – Vilun, policia lokale ka marrë disa masa për rritjen e sigurisë në këtë rrugë. Disa goma të vjetra dhe një tabelë orientuese, pritet që të shmagin aksidente të tjera tragjike.

Grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet e ngjarjes së rëndë, që çoi në katër viktima, dy shqiptarë dhe dy italianë. Hetuesit janë ende të pritje të raportit të policisë, që pritet të përcaktojë zyrtarisht shkaqet.

Fillimisht nga veprimet paraprake hetimore, shkak i aksidentit dyshohet të jete bërë shpejtësia, mungesa e sinjalistikës rrugore, gjendja e rënduar e rrugës. Nëse dyshimet për gjendjen e rrugës vërtetohen, atëherë pritet që prokuroria të nisë një hetim për Autoritetin që menaxhon këtë segmment.

Hetuesit sqarojnë po verifikohet edhe shpejtësia me të cilën ka qenë mjeti, ndërsa shkak i vdekjes së katër të rinjve ishte mbytja. Pasi mjeti doli nga rruga, makina ra në një kanal tre metra të thellë.

Policia shqiptare ka identifikuar vetëm njërin prej italianëve ndërsa emri i tjetrit jepet nga mediat italiane.

“La Repubblica” shkruan se viktima e katërt është 36 – vjeçari Giovanni Sanguedolce, lindur në Andria. Viktima tjetër është Giorgio De Serio. 25 – vjeçari kishte hyrë në Shqipëri në datën 1 Gusht.

Në këtë aksident humbën jetën Besim Kola dhe Artenisa Peraj, e cila ishte mikeshë me viktimat.

Tv Klan