Një muaj pas arratisjes së ish-Kryeministrit Gruevski, institucionet kompetente në Maqedoni, ende janë duke gjurmuar pas përgjigjeve. Nga Prokuroria paralajmërojnë se rreth hetimeve për mënyrën e arratisjes do të prononcohen brenda dy javëve. Prokuroria ende nuk i ka në dispozicion video-xhirimet nga Mali i Zi dhe Shqipëria.

“Kolegët dje kanë kërkuar nga Shqipëria të dorëzohen sa më shpejt materialet që i posedojnë. Kontrollimi i xhirimeve që i kemi është kah fundi. Presim që gjatë dy javëve të dalim me komunikatë për rezultatet e hetimeve”.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se nuk ka asgjë të re nga autoritetet e Hungarisë rreth kërkesës për ekstradimin e Gruevskit.

“Ende nuk kam përgjigje nga Hungaria rreth kërkesës sonë për ekstradim. Por afatet nuk janë tejkaluar. Do të presim një periudhë të caktuar e më pas do të dërgojmë urgjencë”.

Derisa autoritetet në Maqedoni janë në përgatitje e sipër të rezultateve të hetimit, një fotografi e ish-Kryeministrit Gruevski në rrugët e Budapestit ka shkaktuar reagime të ndryshme. Për autenticitetin e kësaj fotografie nga Budapesti, mediat thirren në konfirmimin e gazetarit britanik Den Nolan, i cili ka gjetur vendin e fotografisë, por nuk ka zbuluar se kush është autori. “E kapa” ka shkruar gazetari britanik në rrjetet sociale.

Tv Klan