Dy janë pistat kryesore që grupi hetimor po punon në përpjekje për të zbardhur atentatin e një dite më parë ndaj biznesmenit Berhan Vishnja, në qytetin e Shkodërs.

Atij iu bë pritë në kryqëzimin e Zdrales, pranë stadiumit “Loro Boriçi”, nga persona ende të paidentifikuar të maskuar me kokore motorësh. Ata qëlluan tri herë në drejtim të biznesmenit, por për fat të mirë plumbat nuk prekën organe jetësore.

Burime pranë grupit hetimor thanë se po verifikojnë së pari pistën e konflikteve të mundshme të biznesmenit. Ai ka disa dyqane dhe e ushtron këtë aktivitet prej vitesh. Nga dëshmia që ka dhënë para prokurorëve, 52 – vjeçari ka mohuar të kishte konflikte të hapura apo të kishte marrë ndonjë kërcënim kohët e fundit.

Për këtë shkak hetuesit po verifikojnë edhe pistën e konflikteve për shkak të konkurrencës.

Një tjetër pistë që po verifikohet është ajo e tentativës së grabitjes, por ka pak të dhëna se ka qenë ky qëllimi i autorëve.

Aktualisht janë duke u parë me vëmendje pamjet e kamerave të sigurisë të sekuestruara në disa biznese të zonës. Mësohet se autorët janë treguar të kujdesshëm për të mos lënë gjurmë që të bënin të mundur identifikimin e tyre.

Tv Klan