Kur kanë kaluar 24 orë nga aksidenti me dy viktima dhe një të plagosur, mbetjet e helikopterit EC 145 të Forcave të Armatosura vazhdojnë të qëndrojnë në ujërat e Liqenit të Shkodrës.

Një motoskaf i forcave të Policisë Kufitare dhe dy policë ruajnë zonën. Askush nuk lejohet t’i afrohet bregut të liqenit, në zonën ku ra helikopteri dhe ku humbën jetën pilotët, Floran Delia dhe Donald Hoxha.

Prokuroria e Shkodrës ka nisur një hetim mbi ngjarjen. Për të zbuluar shkaqet e përplasjes është e nevojshme që të analizohet kutia e zezë e mjetit, që duhet nxjerrë nga një thellësi më shumë se 6 metrash.

Burime të Prokurorisë thanë për Televizionin Klan se, organi i hetimit po përgatit një kërkesë për Ministrinë e Mbrojtes, për t’i vënë në dispozicion një vinç të përmasave të mëdha.

Një tjetër kërkesë do të bëhet edhe për të marrë zyrtarisht planin stërvitor që duhet të zbatonte mjeti, itenerarin e lëvizjes, si dhe të dhënat mbi kushtet teknike.

Për analizmin e kutisë së zezë, mësohet se do të jetë e nevojshme edhe asistenca e inxhenierëve të kompanisë së prodhimit të mjetit, francezes “EuroCopter”.

Prania e tyre do të jetë e domosdoshme, pasi mjeti është ende brenda garancisë. Ai ka hyrë në përdorim të Forcave të Armatosura Shiptare në Nëntor të vitit të shkuar.

Në pritje të francezëve dhe të vënies në dispozicion të shkresave nga Ministria e Mbrojtjes, gjithçka është pezull dhe hetimet që pritet të përcaktojnë shkaqet e rrëzimit të helikopterit, nuk po avancojnë.

Tv Klan