Jorgo Goro në cilësinë e kryetarit në detyrë të Bashkisë së Himarës kishte të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të verifikuar parregullsitë mbi të cilat pasuria me sipërfaqe 5512 metra katror në Dhërmi u regjistrua nga pronë shtet në favor të privatit.

Në këtë përfundim ka dalë SPAK lidhur me një nga dy episodet për të cilat Jorgo Goro akuzohet për shpërdorim detyre së bashku me 3 zyrtarë të tjerë.

Gjithashtu po në këtë rast prokuroria thotë se kryebashkiaku në detyrë është shprehur se lidhur me këtë kalim pronësie ka patur konfirmim dhe nga Këshilli i Qarkut Vlorë, fakt që ka rezultuar jo i vërtetë.

“Në përshkrimin e dokumenteve që i janë përcjellë ZVRPP-Vlorë, përmendet edhe shkresa “Konfirmim nga Këshilli i Qarkut Vlorë”, ndërkohë që nga dokumentacioni i përmendur më lart (sipas shkresës përcjellëse), rezulton se nuk ekziston asnjë konfirmim i lëshuar nga Këshilli i Qarkut Vlorë”.

Ndërkohë në rastin e dytë për të cilën kryebashkiaku në detyrë akuzohet SPAK ka zbuluar se Goro përmes dokumenteve të firmosura ka zhvendosur një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit, duke e pasuar me plan rivendosje.

Në këtë mënyrë Prokuroria e Posaçme thotë se kjo mbivendosje pasurish, ka krijuar mundësinë për zhvillimin e pronës dhe pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik.

Tv Klan