Policia e Tiranës ka identifikuar autorin e ngjarjes së rëndë që ndodhi në Laprakë mbrëmjen e së mërkurës dhe e ka shpallur në kërkim. Emri i tij nuk bëhet i ditur për arsye hetimore, ndërsa është ushtruar kontroll në banesën e tij në kryeqytet.

Nga hetimet e deritanishme është mësuar se autori ka pasur një konflikt me 23-vjeçarin Erion Benga, i cili mbeti i plagosur. Mësohet se sherri ka ndodhur për motive banale. Autori i dyshuar kishte ngacmuar 17-vjeçaren e cila ndodhej me Erion Bengën në momentin e krimit. Benga debatoi ashpër me të dyshuarin dhe më pas u largua nga lokali ku ndodhej në zonën e Laprakës në Tiranë. Në momentin që 23-vjeçari dhe adoleshentja Griselda Gjikolaj u futën në makinë, autori i dyshuar qëlloi me armë nga jashtë mjetit. Plumbat depërtuan xhamin e pasmë të makinës dhe prekën në kokë 17-vjeçaren, ndërsa në shpatull Erion Bengën.

Pikërisht ky i fundit dërgoi me makinë në Spitalin e Traumës shoqen e tij. Fatkeqësisht, Griselda Gjikolaj ndërroi jetë për shkak të plagëve. Ndërsa 23-vjeçari ka mbetur i plagosur dhe po merr trajtim mjekësor. Hetuesit pritet të marrin në pyetje Bengën sapo ky i fundit të jetë në gjendje për të folur. Uniformat blu të kryeqytetit kanë analizuar edhe kamerat e sigurisë që ndodhen në zonën ku u regjistrua krimi. Në vendngjarje u sekuestruan 4 gëzhoja pistolete, ndërsa autori i dyshuar është ende në kërkim policor.

/tvklan.al