Pas nisjes së verifikimeve për dyshimet se kompania “DH Albania” e fitoi tenderin e ndërtimit të lotit të parë të Unazës së Re, atë të mbikalimit te sheshi “Shqiponja”, me dokumente të falsifikuar, Prokuroria e Tiranës pritet të sekuestrojë të gjitha materialet e tenderimit, kryer nga Autoriteti Rrugor.

Do të verifikohen jo vetëm shkresat, që dyshohet se janë falsifikuar, por edhe të gjitha veprimet e këshillit teknik, që ka miratuar projektin dhe veprimet e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, që ka pranuar ofertën prej 18 milionë Euro, të kompanisë së regjistruar në shtetin Delaware të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo për faktin se prokuroria ka nisur verifikimin për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkeljen e barazisë në tendera.

DH Albania dyshohet se është themeluar në 25 Qershor 2018, dy muaj para zhvillimit të tenderit dhe jo në vitin 1998, siç ka paraqitur dokumentet.

Do të sekuestrohen edhe materiale që ajo ka dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Në këto të dhëna kjo kompani ka dorëzuar bilance për vitin 2015, 2016 dhe 2017, ku ka qarkulluar qindra milionë dollarë. DH Albania operon në vendin tonë si degë e një kompanie të regjistruar në shtetin Delaware të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të quajtur “Dunwell Haberman”.

Hetim për këtë rast ka nisur dhe prokuroria amerikane, pas dyshimeve se ajo ka kryer një krim federal.

Në SHBA po hetohet falsifikimi i një certifikate të Sekretarit të Shtetit të Dalaware, që tregon se kjo firmë nuk i ka detyrime fiskale shtetit.

Zëdhënësi i Sekretarit të Shtetit, Doug Denison ka sqaruar se për certifikatën nuk ka patur asnjë kërkesë nga firma dhe as nuk është lëshuar ndonjë dokument.

Në një fazë tjetër hetimore, Prokuroria e Tiranës nuk përjashton mundësinë e dërgimit të letër-porosive në Amerikë, për te kërkuar informacion, apo dhe një bashkëpunim me autoritetet amerikane.

Autoriteti Rrugor Shqiptar i ka pezulluar punimet dhe në zonën e Astirit nuk po kryhet më asnjë punim nga kjo kompani.

Zëri i Amerikës njoftoi se rasti i kompanisë “Dunwell Haberman” mund t’i referohet për ndjekje edhe Departamentit të Drejtësisë në Uashington. Kompania rezulton se është regjistruar ne SHBA përmes firmës “Apex Resident Agent Services”.

Tv Klan