Tragjedia ajrore e të dielës në Rusi mund të jetë shkaktuar nga shkelja e procedurave të rasteve të emergjencës nga pilotët dhe pjesëtarët e bordit të avionit të shoqërisë Aeroflot.

Hetuesit thonë se dy pilotët e Sukhoi Superjet mund të kenë shkelur rregullat që parashikojnë se në raste emergjente, karburanti i avionit duhet të zbrazet para uljes në pistë. Flakët e mëdha që përfshinë avionin gjatë uljes u shkaktuan pasi serbatori i avionit ishte i mbushur plot me karburant. Pilotët megjithatë thanë për mediat se e kishin pasur të pamundur t’a zbraznin karburantin pasi zona mbi të cilën fluturonte avioni ishte e banuar dhe derdhja e karburantit ishte me rrezik.

Kjo xhirim amator i publikuar së fundi tregon se piloti i dytë i avionit Maksim Kuznjecov thyen xhamin e kabinës dhe zbret prej andej me litar. Në media janë hedhur dyshime se disa prej pjesëtarëve të bordit të avionit dolën pa u dhënë ndihmë fillimisht pasagjerëve.

Po hetohet po ashtu edhe për faktin nëse ka qenë rrufeja që ka shkaktuar bllokimin e sistemit të komunikimit të avionit. Sipas statistikave, çdo avion goditet të paktën një herë në vit nga rrufeja.  Tragjedia e të dielës i mori jetën 41 personave dhe plagosi 37 të tjerë.

Tv Klan