Afrim Qëndro, Drejtor i Autoritetit Rrugor është pyetur për më shumë se 2 orë në Prokurori për skandalin e DH Albania. Kjo kompani fitoi tenderin e shpallur nga ARRSH për ndërtimin e lotit të parë të Unazë së Madhe prej 18 milionë eurosh, me dokumente të falsifikuara. Në dalje nga akuza e Tiranës, Qëndro nuk dha detaje të asaj çfarë ka deklaruar, por theksoi se institucioni që ia drejton nuk ka kryer asnjë shkelje.

Mësohet se Qëndro ka sqaruar të gjithë procedurën e tenderimit dhe verifikimit të dokumentacionit që Avdjol Dobi, përfaqësuesi i 26-vjeçar i DH Albania, ka dorëzuar online. Sipas kreut të ARRSH nuk janë vërejtur parregullsi në dokumentacion dhe procedurat e ndjekura nga institucioni që ai drejton, janë të bazuara në ligj.

Po këtë të mërkurë është pyetur në Prokurori, Drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Klodian Gradeci. Nga OST, DH Albania fitoi tenderin për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Burrel-Peshkopi, me vlerë 12 milionë euro. Ky tender u anulua pas zbulimit të skandalit nga mediat. Edhe Gradeci i ka thënë hetuesve se institucioni që ai drejton ka respektuar ligjin në këtë rast.

Të martën për këtë çështje në Prokurori u pyet edhe Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Autoritetin Rrugor, ndërsa të hënën dha sqarime KVO e OST-së. I vetmi që nuk është gjendur nga Prokuroria për t’u marrë në pyetje është Avdjol Dobi, i cili ka refuzuar tre fletëthirrje të Prokurorisë së Tiranës.

Tv Klan