17 urdhër-arreste për tërmetin e 26 Nëntorit

17 urdhër-arreste për tërmetin e 26 Nëntorit

09:29 14/12/2019

Në pranga zyrtarë, ish-zyrtarë dhe ndërtues

Kur kanë kaluar 18 ditë nga tërmetit i 26 Nëntorit që shkaktoi 51 viktima dhe dëme të mëdha material, në Durrës ka nisur një valë arrestimesh që përfshin zyrtarë dhe ish –zyrtarë, ndërtues, inxhinierë, projektues, zbatues, mbikëqyrës dhe kolaudatorë të ndërtimeve.

Nëntë janë të arrestuarit dhe 8 të shpallurit në kërkim për katër akuza, si vrasje me dashje, vrasje në rrethana të tjera cilësuese, shpërdorim të detyrës dhe falsifikim të dokumenteve, akuza që parashikojnë dënime deri në burgim të përjetshëm.

Të gjithë janë të përfshirë në 7 ndërtesat e shembura, si Kavalishenca, hotel ‘Mira Mare’, hotel ‘Tropikal’, hotel ‘Vila Palma’, pallati 6-katësh dhe banesa e familjes Lala. Nga rrenojat e tyre u nxorrën të pajetë 23 persona.

“ Nga veprimet e para hetimore të kryera, dyshohet se dëmtimet e këtyre godinave dhe pasojat në jetët e njerëzve kanë ardhur dhe si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit”, tha drejtori i Policisë së Durrësit.

Për vdekjen e policit Bajram Hajdarmataj në objektin e rrëzuar në Kavalishencë është arrestuar Kujtim Hasa 53 vjeç, e shefi i shërbimeve të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme nën akuzën “Vrasje  me dashje” dhe Ahmet Doda 52 vjeç, drejtor i shtëpisë së pushimit, për “Shpërdorim detyre”.

Për hotelin ‘Mira Mare’ ku humbën jetën dy shtetas, është arrestuar ndërtuesi i kateve shtesë pa leje, Rruzhdi Xheka 79 vjeç, nën akuzën për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”.

Për ngjarjen në hotel ‘Tropikal’, ku u vranë dy shtetas kosovarë, u arrestua Avdulla Osmani 61 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal të hotelit, të legalizuar më vonë në mënyrë të paligjshme. Edhe ai akuzohet për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”.

Për dy viktimat në pallatin 6-katësh që u rrëzua në Durrës, nën akuzën për shpërdorim detyre janë arrestuar Arben Isaku 42 vjeç, me detyrë ish-drejtor i ALUIZNI-t Durrës, Klajdi Lame 32 vjeç, inspektor i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës, Albrend Qetka 35 vjeç, specialisti i verifikimit në terren pranë ALUIZNI-t dhe Dëfrim Celami 44 vjeç, si specialist që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik.

U arrestua edhe Nevjana Isufi 45 vjeçe, e cila me studion e saj private dyshohet se hartonte projekte fiktive dhe akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Ndërsa të shpallurit në kërkim janë Arben Qato pronar i ‘Vila Palma’, Dëshira Qato, shefe e urbanistikës në Kavajë, Aldo Dakovelli, shef sektori në Kadastrën e Durrësit, Artemis Malko punonjës terreni në Kadastrën e Durrësit, Artur Çela, ish-drejtori i INUV, Flamur Gjuzi, ish-drejtori i ALUIZNI-t Durrës dhe ndërtuesi i banesës së familjes Lala në Kënetë.

Shtatë nga 8 personat e shpallur në kërkim janë larguar jashtë vendit një ditë pasi ra tërmeti.

“Personat që janë larguar jashtë vendit janë larguar për arsye familjare dhe jo për shkak të hetimeve. Pesë personat që janë jashtë shtetit nuk lidhen me arsyet e hetimit, por për arsye shëndetësore”.

Prokuroria e Durrësit njoftoi se është nën hetim edhe një tjetër person. Hetimet vijojnë dhe sipas burimeve në organin e akuzës, priten edhe arrestime të tjera.

Tv Klan


Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi