50 të shoqëruar por nuk japin dëshmi të vlefshme për zbulimin e autorëve, shpresë për hetuesit provat në vendngjarje

Më shumë se 50 persona janë shoqëruar në policinë e që prej ditës së shtunë, kur u ekzekutua me armë zjarri, anëtari i bandës së Durrësit Edmond Koçi i njohur dhe si Mond Çekiçi. Dëshmia e tyre nuk i ka ndihmuar hetuesit, ndërsa shpresë për identifikimin e autorëve janë provat biologjike të gjetura në vendin e ngjarjes. Këto prova janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës për të krijuar një identifikim të vrasësve të 43-vjeçarit.

Sipas burimeve, 4 persona dyshohet të kenë marrë pjesë në eliminimin e Koçit, 3 që finalizuan vrasjen dhe 1 person tjetër i cili i largoi ato nga zona e Sukthit pasi dogjën automjetin tip Benz. Grupi hetimor nuk ka përcaktuar ende se ku është vjedhur makina Benz, apo se nga mund të jetë trafikuar ajo. Kjo pasi nuk kishte numër shasie. Ndërsa targat e tij ishin vjedhur pak muaj më parë në Tiranë.

Shpresë për hetuesit janë dhe kamerat e sigurisë që po analizohen nga grupi hetimor për të krijuar itinerarin e lëvizjes para dhe pas atentatit të autorëve të të “fortit” të Durrësit, Mond Çekiçi.

Sakaq burime nga prokuroria bëjnë më dije se sipas dyshimeve autorët e vrasjes janë persona të paguar dhe se nuk përjashtohet mundësia se krahas automjetit benz dhe mjetin tjetër që janë larguar autorët të ketë qenë i vjedhur ndonëse ende nuk është bërë i mundur identifikimi i tij.

Nga ana tjetër pista kryesore e hetimit për vrasjen e Çekiçit është e kaluara e tij kriminale dhe përplasjet mes bandave ku viktima ka qenë pjesë.

Klan News