E kaluara kriminale dhe veprimtaria e jashtëligjshme e Edison Harizajt i vrarë në atentatin e 6 Nëntorit në Durrës janë pistat kryesore që po ndjek policia për zbardhjen e ngjarjes. Origjina e konflikteve sipas grupit hetimor është në qytetin e Vlorës aty ku viktima jetonte dhe kishte bizneset e tij.

Ndryshe ai njihej si “Edisioni i 7 pallateve” dhe prej vitesh ushtronte aktivitetin në Vlorë ku njihej si person me shumë influencë. Për blutë vrasja e tij është si pasojë e përplasjeve mes grupve rivale për territor në qytetin bregdetar. Harizaj është përmendur edhe në zhdukjen e një personi në Vlorë i cili sapo ishte kthyer nga Belgjika. Pikërisht nga ky shtet dyshohet se mund të ketë ardhur edhe urdhri për eleminimin e Edison Harizajt. Megjithatë grupi hetimor është duke punuar edhe në pista të tjera që lidhen të gjitha me qytetin e Vlorës. Vrasja në Durrës, sipas hetuesve tregon se sa i survejuar ka qenë 39-vjeçari.

Atentati u krye në një zonë ku mungon ndriçimi, kamerat e sigurisë dhe e vetmja prova që kanë hetuesit deri tani janë gëzhojat e armëve që u perdorën. Nga mënyra e realizimit, atentati sipas ekspertëve të policisë ishte destinuar për të mos dështuar. Në ngjarje dyshohet se janë përfshirë dy mjete dhe të paktën 4 persona. Prokurorët janë duke kqyrur telefonin e viktimës për të parë se me kë ka komunikuar pak orë para vrasjes. Së bashku me Harizajn u vra dhe miku i tij Genci Caca i cili vdiq disa orë më vonë në spitalin ushtarak në Tiranë.

Tv Klan