Hektor Xheçuka, i arrestuar si autor i dyshuar i vrasjes së Emiljano Boçit, 10 muaj më parë në Tiranë ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen. 30-vjeçari nga Burreli ka kërkuar të mbrohet nga një avokat duke mos i përgjigjur pyetjeve të oficerëve të policisë. I riu u prangos në pikën kufitare të Kakavijës, duke hyrë në Shqipëri. Xheçuka nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi dyshohet se është i përfshirë në ngjarje kriminale të ndodhura më parë. Është i paqartë roli i tij në vrasjen e Boçit, por burime nga hetimet bëjnë me dije se ai mund të ketë vepruar kundrejt pagesës nga një person tjetër.

Më 14 Janar të këtij viti, Xheçuka dyshohet se qëlloi me armë Emiljano Boçin, në kohën kur ai do të hipte në automjetin e tij të parkuar pranë një lokali në zonën e ish-parkut të Autobusëve në Tiranë. Bashkë me viktimën në makinë ishte e dashura e tij, si dhe 27-vjeçari Melvin Disha, që mbeti i plagosur nga të shtënat. Sipas policisë, autori qëlloi nga pjesa e pasme e makinës tip “Range Rover” në drejtim të sediljes ku qëndronte shoferi. Hektor Xheçuka ka qenë i arrestuar në vitin 2015 për vrasje të mbetur në tentativë.

Tv Klan