Autoritetet gjermane sqarojnë se si Artan Shkëmbi dekonspiroi operacionin

Detaje të reja janë zbardhur nga hetimit për numrin 2 të OFL, Artan Shkëmbi, i cili është i pezulluar nga detyra pasi dyshohet për nxjerrje të sekretit hetimor.  

Në duart e prokurorëve të SPAK ka mbërritur letërporosia e autoriteteve gjermane, që sinjalizuan të parët korrupsionin nga zyrtari i lartë i policisë. Burime bëjnë me dije për Klan Neës se në dokumentet e ardhura nga Gjermania është sqaruar se si u zbulua dekonspirimi i operacionit nga Shkëmbi.

Autoritetet e huaja kanë sqaruar se numri 2 i Operacionit Forca e Ligjit i ka dërguar mesazh një personi të vënë nën hetim nga drejtësia e Berlinit për trafikim të lëndëve narkotike. 

Bëhet fjalë për Aleksandër Prronin dhe Klaudio Vukajn të cilët janë informuar nga Artan Shkëmbi, përmes një platforme chat-i të kriptuar se po hetoheshin nga Gjermania.

Mesazhi, i cili i është dërguar të hetuarve është një foto e bërë mbi një pajisje elektronike të të dhënave në sistemin Deep See, një sistem që përdoret vetëm nga zyrtarët më të lartë të policisë.  

Numri 2 i OFL i ka shkruar Klaudio Vukajt më datë 10.04.2020 rreth orës 16:00,  duke i treguar të dhënat për verifikim të pasurisë së tij dhe Prronit, po ashtu Shkëmbi i ka treguar edhe kërkesën e autoriteteve gjermane.  

Pak ditë më parë, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e Artan Shkëmbit për t’u rikthyer në detyrë. Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë nuk ka asnjë shkelje proceduriale nga Gjykata e Apelit dhe për këtë arsye vendosi të mos pranonte rekursin e bërë nga zyrtari i lartë i policisë. 

Ai është i pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Klan News