Katër zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Drejtesisë janë arrestuar me vendim të Gjykatës së Tiranës mbrëmjen e të martës. Ata akuzohen nga prokuroria për shpërdorim detyre dhe shkeljen e barazisë në tendera, duke i sjellë buxhetit të shtetit dëm rreth disa  miliona Euro në periudhën 2016-2018. Për ish-Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë Juliana Hoxha është caktuar masa e sigurisë arrest shtëpie.

Në burg kanë përfunduar dhe Aurel Lamçe, drejtori aktual i Shërbimeve Mbështetëse, si dhe punonjësit e IT-së Lysien Ali dhe Arlind Alikaj. Ndaj 8 personave të tjerë është caktuar masa e sigurisë detyrim paraqitje, ndërsa 14 persona të tjerë janë nën hetim. Konkretisht këtë persona kanë abuzuar me 5 tendera të zhvilluara nga Ministria e Drejtësisë. Konkretisht, tek ai i përmirësimit të regjistrit noterial dhe përmbarimor. Pavarësisht se këto dy shërbime nuk funksiononin, buxheti i shtetit vazhdonte të paguante për to.

Gjithashtu janë gjetur shkelje të rënda në sistemin e mbikëqyrjes elektronike dhe regjistrin online te 7 Gjykatave Administrative. Abuzime janë gjetur edhe në tenderin e pajisjes me kamera të burgut të Fushë-Krujes dhe Lezhës. Këto kamera, sipas hetimeve, janë jashtë çdo standardi që duhet të plotësojnë pasi nuk kanë cilësinë e duhur. Në verifikim janë dhe dy ish-ministrat e Drejtësisë.

Tv Klan