Pas tentativës së grabitjes në banesën e Minella Muçës në Fier, ku mbeti i vrarë një nga 4 grabitësit, policia ka të dhëna se ky është një grup i sofistikuar kriminal. Burime nga komisariati i Fierit thanë se 33-vjeçari Arben Muça, njëri prej grabitësve i plagosur në këmbë pas shkëmbimit të zjarrit me policinë ende nuk ka treguar identitetin e shokëve të tij.

Por hetuesit kanë të dhëna se ky është grupi që ka kryer një sërë grabitjesh me armë kohët e fundit në qytete të ndryshme të vendit. Policia thotë se kemi të bëjmë me një grup profesionistësh, që nuk lë pas as shenja gishtërinjsh dhe as gjurmë që mund të çojnë në identifikimin e tyre.

Me vete kishin përveç armëve, dorezave dhe maskave edhe një çantë me vegla që do të shërbente për të hapur derën. Sipas policisë ishte mbërritja në kohë e efektivëve, që pengoi planin e grabitësve. Nëse policia do të vonohej dhe për disa minuta, grabitësit do ta kishin hapur derën me veglat që dispononin.

Por mbërriti në më pak se 5 minuta nga çasti, kur u njoftua salla operative, duke bërë që grabitja të dështojë me pasojë një të vdekur dhe një të plagosur. Minella Muça dhe gruaja e tij janë pensionistë, por ata kanë një djalë që jeton me familjen në Meksikë çka mendohet se i ka shtyrë grabitësit të aludojnë se në banesën e të moshuarve do të gjenin para.

Ngjarja ndodhi në lagjen “29 Nëntori”, të premten në orën 2:27 minuta, kur 4 persona të armatosur tentuan të hynin me forcë në banesën e Minella Muçës për të grabitur.

/abcnews.al