Për herë të parë Hezbollahu sulmon Tel Avivin me raketa balistike. Fatmirësisht raketa u neutralizua nga sistemi mbrojtës Iron-Dome. Vetë Hezbollah deklaroi se shënjestroi selinë e Mossad-it. Më vonë ushtria izraelite njoftoi shkatërrimin e lëshuesit të raketës. Sirenat paralajmëruese u dëgjuan në Tel Aviv kur raketa u kap nga sistemet e mbrojtjes ajrore.

Mediat shkruajnë se nëse sulmi do të ishte i suksesshëm do të kishte viktima të shumta. Më vonë Izraeli vijoji sulme të tjera në Libanin jugor duke vrarë 10 persona dhe duke plagosur disa të tjerë.

Hezbollahu ka fajësuar Mossad-in për vrasjet e fundit të liderëve të saj. Ai ka akuzuar gjithashtu agjencinë e zbulimit për kryerjen e një operacioni të jashtëzakonshëm javën e kaluar, ku shpërthyen pajisjet e komunikimit të anëtarëve të tij.

Irani një mbështetës i Hezbollahut u shpreh se është gati ta ndihmojë. Në një deklaratë lideri suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei u shpreh se vrasja e komandantëve të Hezbollahut nuk do ta gjunjëzojë grupin.

“Forca organizative dhe burimet njerëzore të Hezbollahut janë shumë të forta dhe nuk do të goditen nga vrasja e një komandanti të lartë, edhe nëse kjo është qartësisht një humbje. Rezistenca libaneze do të ketë fitoren përfundimtare”.

Ofensiva e re e Izraelit kundër Hezbollahut ka vrarë qindra persona që nga e hëna dhe ka plagosur mijëra të tjerë. Gjysmë milion njerëz janë zhvendosur brenda Libanit duke shkaktuar krizë humanitare.

Tv Klan