Juventus dhe Liverpool duket se janë skuadrat e favorizuara nga shorti i çerekfinaleve të Champions League. Skuadra angleze do të përballet me Porton ndërsa italianët me Ajaksin.

Në Nyon të Zvicrës u vendos që këto skuadra të kenë përballë kundërshtarë jo të të njëjtit nivel, por që gjithsesi me shumë ambicie, veçanërisht Ajaks që eliminoi Real Madridin.

Superndeshje pritet të jetë ajo mes Barcelonës dhe Manchester United, dy skuadrat më në formë të momentit. Të dyja kanë qenë përballë njëra-tjetrës në finalet e 2009 dhe 2011, por këtë sezon është tjetër histori, të tjerë personazhe dhe tjetër atmosferë.

Ishte i pritshëm një derbi në këtë fazë të Champions. Është pikërisht ndeshja mes Tottenham dhe Manchester City. Në dukje favorite është City, por Champions është një tjetër arenë nga ajo e Premier League.

Në short u përcaktuan gjithashtu edhe gjysmëfinalet. Fituesi i çiftit Ajax-Juventus do të ketë përballë fituesin e duelit Tottenham-Manchester City,  ndërsa Liverpooli dhe Barcelona do të jenë përballë njëra tjetrës nëse kualifikohen.

Në shortin e Europa League një finale e parakohshme do të jetë ndeshja mes Arsenal dhe Napolit.

Me shumë fat Chelsea që do të ndeshen me Slavian e Pragës. Një tjetër derbi edhe në këtë kompeticion europian, por kësaj here mes skuadrave spanjolle të Valencias dhe Villareal.

Në gjysmëfinale fituesja e çiftit Arsenal-Napoli do të përballet me të kualifikuarën nga derbi spanjoll ndërsa fituesja mes Chelsea-Slavia Praga do të luajë kundër fituesit të çiftit Benfica-Frankfurt.

Tv Klan