Hidorcentralet nuk do të jenë më vetëm në shfrytëzim nga koncesionarët, por nëse ata dëshirojnë dhe paguajnë pjesën e kompensimit që do të vendosë qeveria, mund të marrin pronësinë e HEC-eve.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur punën për të ndryshuar kontratat aktuale të HEC-eve private, si dhe për të bërë një rimodelim të atyre që do të lidhen më vonë.

Nëse investitori merr të drejtat e pronësisë së hidrocentralit, atëherë ai duhet të firmosë ndryshimin e marrëveshjes me qeverinë dhe të paguajë një kompensim, vlera e të cilit do të vendoset nga formula që është duke punuar grupi i cili po merret me këto ndryshime.

Modeli i kontratave, nga forma BOT që është ndërtim, operim dhe më pas transferim në pronësi të shtetit, tashmë do të bëhet BO, ndërtim dhe operim i privatit.

Aktualisht kohëzgjatja e kontratave koncesionare për HEC-et private është 35 vjet, por burime në Ministrinë e Energjisë thonë se në këto momente shteti merr në dorë vepra të amortizuara, për të cilat më pas duhet të investojë për t’i mbajtur në gjendjen optimale, këto janë dhe arsyet se përse po bëhen ndryshimet.

Shqipëria ka dhënë leje për ndërtimin e 524 hidrocentraleve, ku sipas të dhënave nga Agjencia e Burimeve Natyrore, 117 HEC-e aktualisht prodhojnë energji, 43 janë në proces dhe 364 të tjerë nuk kanë nisur të ndërtohen.

Tv Klan