Kur mendojmë për nazistët, menjëherë imazhi i përfytyruar na paraqet një burrë. Por, sipas “Mirror“, Rajhu i Tretë kishte pjesën e tij të grave bashkëpunëtore që kryenin tortura makabre mbi të burgosurit e kampeve të përqendrimit.

Një nga më famëkeqet ishte Irma Grese, e njohur edhe si “hiena e Aushvicit” ose “bisha e bukur”. Gjermania me flokë kaçurrelë bjondë ishte vetëm 22 vjeçe kur u var për krime lufte, gruaja më e re në moshë që vdiq nga ligji britanik në shekullin e shkuar.

Brutaliteti i kësaj të reje ishte i njohur edhe në radhët e meshkujve nazistë, ndonëse është e vështirë të vërtetohet çdo akuzë ndaj saj.

Dëshmitarët tregojnë se Grese i gjuante dhe shkelmonte gratë me këpucët e saj me gozhda sa thuajse i vdiste. Ajo zgjidhte me qëllim gratë më të bukura të parat kur duhej të përzgjidheshin viktimat që do futeshin në dhomat e gazit, kujton e mbijetuara e Aushvicit, Olga Lengyel.

Grese lindi në një fshat të vogël të Wrenchen, Gjermani në vitin 1923 në një familje me 5 fëmijë. Nëna e saj vrau veten kur ajo ishte 13 vjeçe për shkak se zbuloi se bashkëshorti e tradhtonte. Në moshën 19-vjeçare ajo i besoi vizionit të deformuar të Hitlerit dhe shkoi si gardiane vullnetare në kampin e përqendrimit të Ravensbrukut, i cili ishte posaçërisht për të burgosura femra.

Në 1943 u transferua në Aushvic ku u ngrit në detyrë në rangun dytësor më të lartë që mund të mbante një oficere femër e SS-ve, e cila i kushtoi marrëdhënien me babanë e saj.

Grese i gjuante të burgosurat në gjinj, diçka që i pëlqente veçanërisht, si dhe detyronte të burgosura të tjera të reja hebre që të bënin roje ndërsa përdhunonte viktimat e saj. Flitej se ajo kishte marrëdhënie me Josef Mengele, (engjëlli i vdekjes), një mjek që kryente eksperimente të llahtarshme te të burgosurat, Josef Kramer (bisha e Belsenit), komandant i Aushvic-Birkenaut dhe Bergen-Belsenit, si dhe me të burgosur e të burgosura të tjera.

Gratë kishin mësuar t’i druheshin dënimeve të saj, më e pakta ishte një goditje kamzhiku në kokën e gjoksit”, rrëfen Fania Fenelon, një e mbijetuar. Biblioteka Virtuale Hebraike në një deklaratë ogurzezë, flet për abazhurë me lëkurë njeriu të gjetur në dhomën e saj.

Gjetje të tjera sadiste përfshinin një kamxhik celofani që kishte si fund tel të fortë dhe qen që shqyenin të burgosurat.

Forcat aleate e arrestuan Grese në Prill 1945 ku ajo u akuzua për krime lufte në gjyqin e Belsenit, e përshkruar si një nga figurat “më të liga dhe të urryera”. Natën para ekzekutimit, ajo këndonte këngë naziste dhe bërtiti “shpejt” në momentin që dera u hap duke i treguar trekëmbëshin./tvklan.al