Hillary Clinton pranoi emërimin si kandidate për presidente e Shteteve të Bashkuara, duke hyrë në histori si e para grua që merr emërimin nga një forcë kryesore politike në Shtetet e Bashkuara.

Clinton foli në fund të katër ditëve të Kuvendit Demokrat, që përfshiu fjalime nga Presidenti Barack Obama, nënpresidenti Joe Biden dhe kandidati për nënpresident Tim Kaine.

Amerika është në një moment rivlerësimi. Forca të fuqishme po kërcënojnë të na përçajnë. Lidhjet e besimit dhe të respektit po dobësohen. Dhe ashtu si në kohën e atyre që e themeluan vendin, nuk ka garanci. Gjithçka varet nga ne. Duhet të vendosim nëse do të punojmë së bashku, që të ngrihemi së bashku

”, tha ajo në fjalimin e saj.

Clinton e vuri theksin tek përpjekjet që ajo do të ndërmarrë për të përmirësuar jetën e amerikanëve.

Misioni im kryesor si presidente do të jetë të krijoj më shumë shanse dhe vende të mira pune me rroga në rritje këtu në Shtetet e Bashkuara. Që nda dita ime e parë në detyrë tek e fundit. Veçanërisht për zona që për një kohë të gjatë janë lënë pas dore. Që nga zonat e varfra të qytetit në qytetet e vogla

”, tha ajo.

Clinton dhe përkrahësit e saj e kanë theksuar vazhdimisht aftësinë dhe përvojën e saj në sfida të sigurisë kombëtare. Vetë ish-Sekretarja e Shtetit ia kushtoi një pjesë të mirë fjalimit pikërisht kësaj fushe.

“Ne përballemi me një zgjedhje po aq të vështirë përsa i takon sigurisë kombëtare. Gjithkush që sheh lajmet nuk mund të mos shohë kërcënimet dhe turbullirat me të cilat përballemi. Nga Bagdadi në Kabul, në Nice dhe Paris dhe Bruksel, nga San Bernardino në Orlando, ne përballemi me armiq të betuar që duhet të munden. Prandaj nuk ka dyshim që njerëzit janë në ankth dhe në kërkim të një udhëheqjeje të qëndrueshme”.

Ishte vajza e zonjës Clinton dhe ish-Presidentit Bill Clinton, Chelsea që e prezantoi nënën e saj. Një ndryshim i madh nga viti 2008 kur mamaja e saj kandidoi për herë të parë dhe vetë Chelsea ishte shumë e ndrojtur.

Gjatë Kuvendit, synimi i demokratëve ishte që të bënin kontrastin mes republikanit Donald Trump dhe Clinton, duke theksuar si një temë të përgjithshme që ai nuk është i zoti të drejtojë një vend./tvklan.al