Dita e sotme për Kryeministrin Edi Rama nisi me grupin e punës për Ligjin Special kundër krimit të organizuar dhe masat kundër KÇK. Rama e zbuloi këtë në një reagim në rrjetet sociale, duke i dhënë përgjigje kështu edhe pyetjes së përse nuk ishte i pranishëm në takimin e Partisë Socialiste të Tiranës të zhvilluar paraditen e kësaj të shtune.

“Kur dal përditë pse del përditë pse del përditë, kur s’dal ca ditë çfarë ka që s’del përditë, historia e vjetër hip se të vrava zbrit se të vrava. Sot e kam nisur ditën me grupin e punës për Ligjin Special kundër krimit të organizuar+masat kundër KÇK që po finalizohen në letër“, shkruajti kreu i qeverisë në Twitter.

Në një reagim të dytë, teksa paralajmëroi furtunë për ato që i quajti ‘fole krimi dhe korbat e KÇK’, Rama zbuloi se do të jetë në Ohër ku do të zhvillojë takime për marrëveshjet e bashkëpunimit rajonal.

“Brenda nëntorit fillon furtuna mbi foletë e krimit dhe korbat e KÇK. Tani për Ohër ku nisin sot takimet për marrëveshjet e bashkëpunimit rajonal dhe nesër bëhet mbledhja e radhës ku janë ftuar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor + partnerët europianë të nismave rajonale”./tvklan.al