Pavarësisht masave kufizuese të qarkullimit në vend, Policia e Shtetit vijon të gjobisë qytetarë të cilët shkelin këto rregulla. Kështu, gjatë 24 orëve të fundit janë pezulluar 20 patenta. Drejtuesit e këtyre mjeteve kishin shkelur urdhrin e aktit normativ dhe po qarkullonin me automjet jashtë orarit të lejuar.

Ndërsa në Elbasan është arrestuar në flagrancë shtetasi E. D. 33 vjeç, pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.70 mg/l.

Po kështu, në të gjithë vendin janë gjobitur 111 qytetarë që ecnin në këmbë apo lëviznin me biçikletë gjatë pasdites pa arsye të veçantë.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 9 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është vendosur gjobë.

Policia e Shtetit apelon për qytetarët se nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë, të cilët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe vërtetimin e punës nga punëdhënësi.

Për të bërë pazar në qendrat urbane, një pjesëtar i familjes duhet të aplikojë në e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa.

Shërbimet e Policisë, nëse do konstatojnë këmbësorë me mungesë të email-it apo mesazhit konfirmues nga e-Albania, do të aplikojnë gjobat ndaj tyre. /tvklan.al