U mor parasysh shqetësimi i banorëve të zonës

Vetëm një ditë pasi Autoriteti Rrugor Shqiptar vendosi barrierat metalike në vendin e quajtur “Pushimi i shoferit” në Lushnje, ato janë hequr. Mbyllja e kryqëzimit u kundërshtua nga banorët e zonës, që në shenje proteste bllokuan edhe rrugën këtë të shtunë për rreth 20 minuta.

Me kërkesë të policisë rrugore autoritetet vendosën të mbyllnin të ashtuquajturin “kryqëzimi i vdekjes” në autostradën Lushnjë – Fier, pasi konsiderohet një njollë e zezë për aksidentet rrugore.

Por me bllokimin e nyjes lidhëse, automjetet duhet të duhet të shkonin disa kilometra mbrapsht në drejtim të Fierit tek rrethrrotullimi i Kolonjës, për t’u kthyer në fshatrat e Lushnjes.

Po ashtu për të arritur në Divjakë do të detyroheshin të ndiqnin rrethrrotullimin e Savrës. Kjo iu shtonte banorëve me dhjetëra kilometra rrugë dhe kosto financiare për të arritur në destinacion.

Në mungesë të një kalimi alternativ, ARRSH mori parasysh shqetësimin e banorëve, duke e rihapur kryqëzimin. Autoritetet thonë se për këtë segment do të hartohet një plan i ri që përfshin ndërtimin e mbikalimeve dhe rrugëve dytësore në mënyrë që të rriten elementet e sigurisë rrugore.

Tv Klan