Hiqen kufizimet në Greqi, nis sezoni turistik



Hiqen kufizimet në Greqi, nis sezoni turistik

09:24 14/05/2021

Pas muajve në izolim, prej ditës së sotme ka përfunduar lockdown në Greqi. Pjesa më e madhe e kufizimeve që ishin vendosur për shkak të pandemisë së Covid-19 janë hequr dhe në vend është rikthyer normaliteti.

Autoritetet greke kanë njoftuar nisjen zyrtarisht të sezonit turistik. Tregjet janë hapur dhe orari i qarkullimit është zgjatur deri pak pas mesnate. Edhe tregtia me pakicë në shtetin fqinj lejohet prej ditës së sotme dhe tregtarët nuk do të jenë më të detyruar për të marrë konfirmim me mesazh.

Por gjithsesi, do të duhet që të respektohen disa protokolle, siç është distancimi fizik. Edhe udhëtimet ndërmjet rajoneve të ndryshme janë lejuar, por me disa kushte.

Veçanërisht në udhëtimet nga ishujt, qytetarët duhet të jenë të pajisur me certifikatë vaksinimi, të kenë test PCR negativ prej 72 orësh ose të kenë certifikatë që kanë kaluar Covidin të paktën 2 muaj pas sëmundjes deri në 9 muaj.

Njëkohësisht edhe muzetë do të hapin dyert për vizitorët. Në ditët në vijim do të lejohen gjithashtu edhe një sërë aktivitetesh të tjera, ndërsa në Qershor dasmat dhe pagëzimet do të lejohet të kryhen në ambiente të hapura. Sa i përket kufirit me Shqipërinë, Greqia nuk ka marrë ende një vendim për datën e hapjes. /tvklan.al










Të ngjashme