Detyrim vetëm maska e tipit FFP2

Austria heq të gjitha kufizimet për pasagjerët me pasaporta biometrike që udhëtojnë drejt këtij vendi, duke filluar nga data 24 Qershor. Lajmi është bërë i ditur nga Aeroporti Ndërkombëtar Nënë Tereza. Për të udhëtuar drejt Austrisë nuk është më i nevojshëm testi negativ i Covid apo kryerja e një vaksine. I vetmi detyrim është që qytetarët që udhëtojnë në Austri duhet të kenë maskë tip maska FFP2, si kjo në foto, e cila gjendet në çdo farmaci.

Kufizimet janë hequr edhe në udhëtimet drejt Holandës. Për udhëtarët drejt këtij vendi kërkohet vetëm plotësimi i një formulari të shëndetit që duhet pasur me vete. Gjithsesi heqja e kufizimeve vlen vetëm për ata pasagjerë që kanë si destinacion final Austrinë apo Holandën. Për udhëtarët që fluturojnë tranzit nga Austria, apo Holanda drejt vendeve të tjerë, këshillohet të jenë të kujdesshëm dhe të kontrollojnë rregullat e udhëtimit Covid-19, që ka destinacioni final i mbërritjes së tyre.

Pak ditë më parë Greqia dhe Gjermania vendosën hapjen e kufijve për turistët nga Shqipëria. Vendimi erdhi pasi Këshilli Europian publikoi listën e vendeve jo-anëtare ku bën pjesë edhe Shqipëria, prej nga u rekomandohet shteteve të unionit të lejojnë hyrjen e udhëtarëve për qëllime jo-thelbësore.

Hapjen e kufijve për turistët shqiptarë e kanë njoftuar më herët edhe Spanja, Franca dhe Hungaria, sipas rregullave përkatëse të secilit vend.

Tv Klan