Simaku: Përjashtohen vetëm disa kategori

Numri më i lartë i të shëruave nga Covid në 24 orë, është regjistruar këtë të hënë me mbi 500 të tillë. Një rritje e tillë i dedikohet kryesisht vendimit për heqjen e ritestimeve për negativizim. Sipas specialistëve, një i prekur me Covid-19, pas 14 ditësh nuk është më infektues për të tjerët. Kjo masë mund të çojë edhe në rritjen e testimeve.

“Ritestimi është hequr dhe nga shumë shtete të tjera në Europë. Natyrisht që do rritet numri, por kjo nuk do të thotë se deri tani ka penguar numrin e testimeve, sepse testimi është kryer i mjaftueshëm dhe është kryer sipas kritereve dhe strategjisë epidemiologjike”.

Nga heqja e ritestimit përjashtohen disa kategori.

“Ritestimi nuk është hequr për disa kategori të caktuara siç janë punonjësit shëndetësor, nxënësit dhe mësuesit dhe për personat që janë në qendra rezidenciale apo institucione të vuajtjes së dënimit, pra që janë në ambiente të mbyllura”.

Epidemiologët presin që kufizimet e reja të japin rezultat.

“Do të duhet minimumi 2-3 javë për t’u parë dhe efekti i këtyre masave”.

Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se situata është nën kontroll, përderisa nëpër spitale ka vende për të pritur të infektuarit rëndë me Covid-19.

Tv Klan