Hiqet tatimi i thjeshtuar për bizneset e vogla


Hiqet tatimi i thjeshtuar për bizneset e vogla

15:51 13/09/2020

Përjashtohen edhe ata me xhiro nga 5 deri në 8 milionë Lekë

Qeveria ka vendosur të heqë edhe taksën vendore të tatimit të thjeshtuar të biznesit të vogël, si masë që do t’i vijë në ndihmë sipërmarrjes së prekur nga pandemia e Covid-19.

Janë 5311 tatimpagues, të cilët prej Janarit të vitit të ardhshëm nuk do të paguajnë tatimin e thjeshtuar vjetor prej 25 mijë lekësh në vit.

“Situata me të cilën po përballet vendi ynë, si rezultat i epidemisë së shkaktuar nga Covid-19, e ka bërë të nevojshme krijimin e një kuadri ligjor lehtësues për ata tatimpagues të cilët përballen me vështirësitë më të mëdha nga kjo situatë”.

Dy vjet më parë, Kuvendi vendosi të përjashtojë nga ky tatim bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë në vit, ndërsa la në fuqi për ndërmarrjet me të ardhura vjetore deri në 8 milionë lekë një nivel tatimor fitimi prej 5%.

Tashmë është vendosur që edhe ky grup sipërmarrësish të mos paguajë tatim-fitim dhe po ashtu të përjashtohen nga tatimi i thjeshtuar prej 25 mijë lekësh në vit.

Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin dhe e ka depozituar atë në kuvend. Nga kjo nisëm bizneseve të vogla mes fashës 5 deri në 8 milionë lekë në vit do iu lehtësohet në total një barrë tatimore prej 4 milionë dollarësh në vit.

Tv Klan



Të ngjashme