Ekspertët: Nuk janë efikase, mund të jenë të dëmshme

Jemi sërish në atë kohë të vitit kur i rikthehemi intensivisht idesë së dietës. Këto ditë shumë prej nesh zotohen për një regjim të ri, sa për të djegur kaloritë e shumta të marra nga ushqimi i bollshëm dhe ëmbëlsirat e vitit të ri, aq edhe për të nisur një vit sa më të shëndetshëm.

Dhe përballë kemi si gjithmonë një bollëk librash me dieta që të premtojnë mrekullinë.

Britanikët, për shembull, blejnë miliona prej këtyre librave çdo vit, duke shpresuar se në brendësi gjenden sekretet për humbjen e shpejtë të peshës dhe për të arritur shëndetin optimal.

Këtë vit, disa libra të rinj, kanë përmbajtje paksa të çuditshme.

Një dietolog guru, Antoni Uilliam, i cili ka një rubrikë në faqen e internetit te shëndetit të aktores Guineth Paltrou,  pretendon se shpirtrat i kanë thënë se lëngu i selinosë kuron edhe sëmundjet si kanceri apo demenca.

Një mjek tjetër i famshëm thotë se ushqimi duhet te pasqyrojë personalitetin tuaj.

Të tillë dietologë kanë një ushtri ndjekësish. Por ekspertët mendojnë ndryshe.

Javën e kaluar, drejtori i qendrës kombetare mjekësore në Britani, Stefen Pouis, u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin dietat që premtojnë rezultate të shpejta pas Vitit të Ri, pasi nuk janë fare efikase ose mund të jenë edhe të dëmshme.

Ekspertet thonë se librat e dietave do të vazhdojnë t’u ofrojnë njerëzve shpresë e stabilitet, por shumë teori të tyre përmbajnë marrëzira.

Metabolizmi juaj nuk mund të rregullohet nga e para dhe ai ndryshon rrallë. E po ashtu, thonë ekspertët, nuk kemi nevojë për detoks, pasi mëlçia dhe veshkat i largojnë vetë toksinat. Kushdo qe ju thotë ndryshe, po përpiqet të fitojë para.

Tv Klan