Përdorimi i make-up është kthyer në një rutinë të zakonshme tek femrat, të cilat përpara se të dalin për aktivitetet e tyre ditore, kujdesen për pamjen e tyre. Një “zakon” i tillë është i pashmangshëm për pothuajse të gjitha femrat të cilat gjejnë tek make-up, stilin e tyre për t’u dukur më bukur në jetën e përditshme.
Megjithatë, përpos të mirave që ato ofrojnë lidhur me kujdesin ndaj fytyrës, një neglizhencë, sado e vogël të shihet për to, mund t’u shkaktojë probleme serioze.
Kështu mendon një optometrist, i cili është i specializuar për kujdesin ndaj syrit. Sipas tij, procesi i aplikimit të make-up mund të ndikojë shumë në mbartjen e rreziqeve shëndetësore, duke përfshirë këtu orët e shumta që femrat kalojnë para pasqyrës për vendosjen e grimit në mënyrë sa më të mirë të mundshme.
Specialisti i syrit ngre alarmin për 5 zakone që duhen eleminuar në mënyrë që femrat “e fiksuara” pas make-up të shmangin rreziqe serioze, si humbja e shikimit.

T’i ndani produktet me të tjerët
Ndodh shpesh mes femrave që të kalojnë pa menduar dy herë produktin e tyre të make-up dhe ta marrin sërish. Specialisti i syve, Imran Ali thotë se produktet e kozmetikës mund të kthehen në një faktor nxitës për marrje infeksionesh virale dhe bakteriale.
“Nëse i ndani ato me miqtë tuaj dhe i rimerrni për t’i vendosur sërish në fytyrë, mund të përfundoni me ënjtje në vetull, sy të skuqur apo dhe lotim”, shpjegoi Ali, i cili rekomandoi vajzat që të shkojnë për konsultim tek okulisti nëse një nga këto simptoma u shfaqen.
Nuk lani duart
Higjiena është thelbësore tek të gjithë personat të cilët menjëherë pasi hyjnë në tualet, zgjedhin të kujdesen për fytyrën e tyre në mënyrë që të duket sa më mirë. Në rastin e femrave, ato nuk mund të bëjnë dot pa make-up. Por nëse befas injoron ose harron të lash duart përpara se të vendosësh pudër ose një tjetër produkt kozmetik në fytyrë, mund të bësh një gabim shumë të madh.
“Në momentin që ju nuk lani duart, mikrobet kalojnë në aplikuesin tuaj të gripit e më pas në të gjithë grimin. Në fund, ato përfundojnë në trupin tuaj”, shtoi Imran.

Grimet që kanë skaduar dhe furçat e pista
Vigjilenca mungon në këtë rast, duke neglizhuar dhe faktorët edhe më bazikë si rivlerësimi i datës së skadencës dhe pastrimi i furçes para përdorimit. Kjo mund të jetë shumë e rrezikshme.
“Make-up nuk zgjat shumë, pasi shumica prej tyre mund të përdoren maksimumi për tre muaj ose e shumta një vit, kjo në varësi të mënyrës se si ai përdoret dhe datës së skandecës që i shënohet në produkt”, shprehet eksperti.
Nëse larja e shpeshtë e furçave, sidomos për femrat, duket si diçka e bezdisshme dhe që ju merr kohë, për Imran, një proces i tillë shihet me shumë rëndësi për të ruajtur çdo mikrob dhe infeksion nga trupi. Ai rekomandon larjen e furçave çdo ditë të javës për të ulur ndjeshëm dhe rrezikun e pranisë së baktereve në produkte të tilla.
Kur bie në gjumë me grim në fytyrë
Gabimi më i madh që bëjnë femrat është kur harrojnë të pastrojnë fytyrën përpara se të shkojnë në shtrat.
“Kjo ndodh sepse gjatë ditës mund të kenë patur një ditë intensive dhe në mendjen e tyre është vetëm gjumi, duke anashkaluar pastrimin e fytyrës. Nëse deri më sot nuk e keni ditur, një veprim i tillë mund t’iu shkaktojë puçrra dhe pika të zeza në fytyrë. Boja mund të depërtojë tek sytë tuaj kur lihet i papastruar dhe si pasojë bllokohen kanalet e lotit duke iu acaruar sytë. Kështu jeni të prirur më të marrë infeksion dhe rrezikoni ndjeshëm humbje shikimi”, thotë Ali.

Reaksion ndaj alergjive
Sytë janë të ndjeshëm, dhe sidomos nëse je alergjike ndaj produkteve të ndryshme kozmetike.
“Nëse sytë tuaj fillojnë të kruhen, fryhen, ndalojeni sa më shpejt përdorimin e produktit që mendoni se e ka shkaktuar. Mos e bëni këtë sepse mund t’iu shkaktojë dëme të mëtejshme”, përfundoi specialisti i syrit.
/tvklan.al