Një grua dhe nënë e dy fëmijëve ka folur në emisionin “Historia ime” në Tv Klan për dy martesat e saj të dështuara dhe problemet e mëdha që duhet të përballte nga dy ish-bashkëshortët e saj. Gjatë martesës së dytë vjehrra nuk e ka dashur djalin e saj që e kishte me burrin e mëparshëm dhe e keqtrajtonte atë gjithë kohës. Kur erdhi në jetë vajza e tyre, bashkëshorti i vuri kusht gruas të braktiste djalin pasi sipas tij vajza e tij nuk mund të rritej me djalin e dikujt tjetër.

Por nëna nuk e braktisi të birin, ajo zgjodhi që fëmijët e saj të ishin më të lumtur dhe prej dy vitesh është divorcuar edhe nga bashkëshorti i dytë. Ky i fundit ndryshe nga i pari i pergjigjet me pension ushqimor të bijës por nuk e takon. Gruaja ka treguar si u nda nga bashkëshorti i dytë dhe çfarë kishte planifikuar vjehrra e saj për ta larguar nga shtëpia.

Veç këtyre problemeve po përballet edhe me një sëmundje ku ende nuk i është përcaktuar diagnoza e saktë, ajo dyshon për tumor.

Gruaja: Vetëm fëmijët më kanë bërë të fortë se kur jam larguar kam pirë 26 kokrra diabeti a tensioni, nuk e di se çfarë kanë qenë, por nuk kam vdekur. Nuk e doja jetën më.

Mirela Milori: Kur u bë divorci i dytë?

Gruaja: Në Gusht të vitit 2018 kur jam larguar nga banesa ndodhi kjo gjë. Gjatë pushimeve të verës djalin e çoja tek mami që mos ma keqtrajtonte vjehrra. Ishte darkë dhe ky vinte në punë. Ishte shumë e planifikuar, në mëngjes vjen ky nga puna edhe e merr pistoletën dhe ma vë mbrapa tek koka. Ish-vjehrra ime e kishte telefonuar natën, i kishte thënë që është një burrë i huaj tek shtëpia me nusen, ne jetonim në katin e tretë në pallat. Sa erdhi po nxirrte rrobat nga dollapi, i thashë pse po e bën e më tha do largohesh nga shtëpia ime. Mori në telefon mamin dhe babin i tha hajde merreni se nuk e dua më.

Unë nuk e pranova këtë largim dhe në ato momente nuk e kam ditur se çfarë kam bërë dhe i piva 26 kokrrat. Gocën nuk ma linte thoshte do e mbaj unë, kurse unë isha shtrirë dhe vajza qante mbi trupin tim, thoshte mami mos më lër këtu, dua të shkoj tek vëllai. Ata nuk më çojnë në asnjë vend, as tek spitali. Vjen babi me vëllai nga Elbasani. Nuk donin që të merrja asnjë gjë edhe pse ai i kishte bërë gjërat gati, vëllai tha se nuk donte asnjë rrobë, vetëm të shpëtonte motra.

Unë u ngrita nga krevati, nuk kisha as këmbë as krahë, s’dija se çfarë po bëja, thjesht mora vajzën në krahë, vëllai më thoshte ma jep mua gocën se do e rrëzosh, i thashë jo nuk e rrëzoj vetëm prej frikës se thoja nuk do ta lej këtu. Sa hipa në makinë aty më bie të fiktë, Ushtaraku nuk më pranoi dhe më dërguan tek “Nënë Tereza”, shumë orë ndejta pa ndjenja.

Mirela Milori: Nuk mendove për fëmijët?

Gruaja: Jo nuk e mendova, mendova thjesht ku do shkoj me dy fëmijë. Dija vendin ku jetoja. E nisja djalin për në shkollë dhe ai fshihej sepse e shanin shokët tek shkolla, i thoshin mami jot është martuar dy herë, është kështu, ti ke mbiemër tjetër, motra mbiemër tjetër. /tvklan.al