#HistoriShqiptare #AlmaÇupi #TvKlan | Historitë vijnë nëpërmjet xhirimeve në terren, duke treguar në detaje gjithë punën e njerëzve, duke i bërë model për të gjithë ata që ndjekin këtë emision të Alma Çupit.

Artizani i pazakontë: Kur isha polic ikja në dasma me dajre

Ndërsa në Gjinar dielli zhduket në horizont dhe vjen mbrëmja, për Pren Ogën nis puna. Ai është një artizan, një polic i dalë në pension që prodhon dajre. “Histori Shqiptare” në Tv Klan e ka xhiruar teksa regj lëkurën e kecit në gëlqere për ta pastruar e më pas për ta tharë.

Ndërkohë nis të punojë dërrasat e zbutura në ujë për të krijuar rrethin e dajres. Proceset që nevojiten për të ndërtuar një dajre marrin plot një javë kohë. Në rrëfimin e tij për programin, Preni tregon ditën e tij të punës dhe historinë pas saj.

Pren Oga: Kam punuar në Polici 25 vjet, tani dola në pension dhe merrem me këtë punë se nuk më del pensioni se 170 mijë Lekë marr unë.

Alma Çupi: Po kur ishe polic bëje dajre?

Pren Oga: Nuk pata bërë. Raste të rralla, vetëm për vete.

Alma Çupi: Çfarë thua? Domethënë ti i je kthyer dajres…

Pren Oga: Kur isha polic unë ikja nëpër dasma me dajre.

Alma Çupi: Sigurisht pa veshjen e policit?

Pren Oga: Normale se veshjen e ruanim.

Alma Çupi: E bukur fare! Një polic që bën dajre, që shkon nëpër dasma, i bie dajres.

Pren Oga: I bie kryeministri dajres, jo unë.

Preni shton se sot dasmat bëhen më së shumti me DJ dhe jo me orkestër sepse kjo e fundit ka më shumë kosto. Ai tregon edhe çmimin që i ka vendosur  punës së tij në të shkuarën dhe tani.

Alma Çupi: Për të bërë një dajre, sa ditë pune harxhon ti?

Pren Oga: Një javë. Kurse që punoj, punoj nga ora 11 e natës e deri në 4 të mëngjesit se jam i qetë kur bëj pikturat.

Alma Çupi: Punon natën ti?

Pren Oga: Po, natën. Fle deri nga ora 9, pastaj ngrihem prapë e punoj prapë. Ka kërkesa faktikisht, por shtypen vetëm te çmimi.

Alma Çupi: Iu duket shtrenjtë?

Pren Oga: Në kohën e Enverit unë e shisja një dajre 1500 Lekë, që ishte një 15-ditësh në një kooperativë të tipit të lartë dhe ai 15-ditësh do të thotë që unë duhet ta shes 200 mijë Lekë me paranë tonë sot që të jem me koston e asaj kohe.

Alma Çupi: Ti e shet?

Pren Oga: Kurse unë e shes 100 mijë Lekë këtu, kurse jashtë 100 Euro se dy ditë pune nuk i kanë për mua ata kur unë rri një javë natë e ditë?

Pas 16 vitesh në Zvicër, rikthehet pranë nënës në fshat dhe ndërton një bujtinë

Flutura Laurent jeton prej 16 vitesh në Zvicër ku punon si pedagoge. Në Gjinar e ka kthyer një thirrje e brendshme për t’i qëndruar pranë së ëmës dhe për të krenuar vajzën 14-vjeçare brenda saj që u largua nga fshati duke kërkuar diçka më të madhe.

Kthimi e bëri të sillte edhe një copëz nga Zvicra, një bujtinë sipas stilit alpin që mirëpret turistë. Flutura rrëfen në “Histori Shqiptare” në Tv Klan historinë e saj, frymëzimin dhe motivimin për t’ia dalë në Zvicër dhe në një fshat mes maleve në atdhe.

Alma Çupi: Kur e more vendimin që ta bësh këtë gjë? Çfarë të thërriti?

Flutura Laurent: Unë ndjeva atë urgjencën që në qoftë se nuk do ta bëja në këto momente, nuk do të  kaloja më kohë me prindërit e mi dhe unë jam një vajzë që ka ikur 14 vjeçe nga shtëpia. E ndieja në mënyrë qoftë koshiente dhe qoftë jo koshiente që duhet të bëja diçka dhe duhet t’ua zbukuroja jetën prindërve të mi dhe në mënyrë indirekte, do zbukuroja dhe jetën time. Dhe pastaj në mënyrën më të dukshme t’ua zbukuronim ditën turistëve që vinin këtej.

Alma Çupi: Ti ke ikur 14 vjeçe nga fshati. Natyrisht Gjinari është një fshat shumë i bukur, por e imagjinoj që nuk ka qenë e lehtë ajo periudhë për të jetuar këtu.

Flutura Laurent: Po, shumë e vështirë.

Alma Çupi: Pati pasoja ajo periudhë e fëmijërisë tënde në një moment që ti mos të vije më këttu?

Flutura Laurent: Kur ti jeton dhe lind në një vend të ashpër, nuk ke zgjidhje tjetër përveçse t’i forcosh sa më shumë vlerat siç është puna, siç është korrektësia, siç është të komunikuarit në një mënyrë të ndershme me tjetrin sepse ajo varfëria ekstreme me të cilën jemi rritur neve nuk të linte luksin të ishe hipokrit. Fakti që unë jam rritur me këtë lloj sistemi, me këtë lloj forme më dha atë forcën që do ia dilja dhe ia dola. Ia dola në qytet, ia dola në Tiranë, ia dola në Elbasan, ia dola me studimet, ia dola në një vend të huaj, ia dola të jem mama, ia dola të jem profesore, ia dola…

Alma Çupi: Ia dole dhe me bujtinën.

Flutura Laurent: Ia dola ta ndërtoj.

Alma Çupi: Nga të gjitha këto rrugëtimet e tua, cila ka qenë më e vështira?

Flutura Laurent: Kjo ka qenë më e vështira.

Alma Çupi: E paimagjinueshme! Unë gjithmonë e kisha idenë që kjo ka qenë më e bukura, finalizimi i gjithë…

Flutura Laurent: Edhe unë ashtu mendoja, që do ishte më e bukura, më e thjeshta përderisa po kthehesha dhe është ajo, po riparoja diçka që nuk e kam pasur unë në fëmijërinë time. Fakti që u rritëm dhe na shkoi fëmijëria siç i ka shkuar… shumë kot domethënë, shqiptarëve dhe brezit tonë, me kushtet jo të mira, pastaj… ne jemi një brez që ka punuar për tre breza. Normalisht një brez punon për dy ose një brez. Neve kemi punuar për tre. Kemi punuar për prindërit tanë, kemi punuar për veten tonë dhe kemi rritur fëmijët tanë sepse duke bërë këtë rrugëtimin, kemi harruar veten dhe kemi harruar atë gocën e vogël që dikur ishte në këto male. Dhe unë erdha t’i thosha do ia dalim./tvklan.al