Ndërsa dhjetëra mijëra emigrantë që duan të hyjnë në Shtetet e Bashkuara janë në pritje të shqyrtimit të kërkesave për azil, mijëra të tjerë ende presin që ta kenë këtë shans. Korrespondenjta e Zërit të Amerikës, Celia Mendoza njofton nga El Paso për historinë e dy imigrantëve nga secila anë e kufirit SHBA-Meksikë.

Pas një udhëtimi të vështirë, 42-vjeçari Mikel Aties Riviaux, mbërriti në Meksikë. Ai u largua nga Kuba në vitin 2016, kaloi nëpërmjet Guajanës Angleze, xhunglës Darien në Brazil, pastaj Amerikën Qendrore dhe përfundoi në Meksikë.

Në Ciudad Juárez përtej lumit Rio Grande afër qytetit El Pasos, në Teksas, ai bëri kërkesën për azil politik në Shtetet e Bashkuara.

“Kisha një ëndërr për të shkuar në Shtetet e Bashkuara dhe për të paraqitur çështjen time”, thotë ai.

Pasi jetoi për gati dy vjet në strehimoren “Buen Samaritano” atij iu dha leja për të hyrë në Shtetet e Bahkuara, pas ardhjes së administratës së Presidentit Biden.

“Nuk di si ta shpjegoj lumturinë që ndiej tani, nuk di si të shprehem”, thotë ai.

Që nga 19 shkurti, administrata e Presidentit Joe Biden ka lejuar dhjetëra mijëra azilkërkuesë në Shtetet e Bashkuara për të dorëzuar kërkesat e tyre. Me ndihmën e Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, UNICEF-it dhe Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit, procesi filloi në San Ysidro të Kalifornisë.

“Ne kemi dy role, të ofrojmë teste për COVID-19, me mbështetjen e laboratorëve të specializuar meksikanë, dhe një rol logjistik, i cili përfshin transferimin e njerëzve në Shtetet e Bashkuara”, thotë Alberto Cabezas nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin.

Megjithatë, ky nuk është fati i të gjithë migrantëve që sot presin në strehimoret në Meksikë. Mijëra migrantëve, si Eda Crystelia Melendez u është mohuar hyrja në kufirin meksikan në bazë të Rregullit 42, i cili lejon zyrtarët e imigracionit të kthejnë në kufi për arsye shëndetësore këdo që kërkon të hyjë në Shtetet e Bashkuara.

“Unë u largova me forcë me mbesën time, sepse djali im ishte qëlluar”, thotë ajo.

Kur Eda Melendez kaloi kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara së bashku me mbesën e saj, agjentët e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit i morën e asaj shenjat e gishtave dhe e kthyen në Meksikë në bazë të rregullit 42.

“Oficerët më thanë jo, megjithëse atyre u vinte keq, ata më thanë, ‘Zonjë, ne nuk mund t’ju lejojmë të kaloni, për shkak të pandemisë”, thotë Eda Melendez.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Juan González, shpjegoi synimin e Rregullit 42 dhe arsyen për ta mbajtur atë në fuqi.

“Ne jemi duke përdorur autoritetin që kemi bazuar në Rregullin 42 për t’u siguruar që njerëzit që nuk janë pjesë e programit të Mbrojtjes së Migrantëve të dëbohen nga vendi, ndërsa ne investojmë në forcimin e kapacitetit të kufirit për të shqyrtuar më shumë raste të migrantëve në një mënyrë dinjitoze dhe ligjore. Ashu siç duhet të jetë”, tha ai.

Në Meksikë, Eda dhe mbesa e saj po presin në strehimoren e organzatës “Good Samaritans”.

“Ne shpresojmë që administrata, ndërsa po ndërmerr këto hapa për njerëzit e kualifikuar për Programin e Migrantëve të Mbrojtur, do të ketë gjithashtu konsideratë për të gjithë ata që janë duke pritur të kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara”, tha nëpunësja ligjore, Crystal Sandoval.

Por pa mbështetje ligjore dhe e lodhur nga mosha e saj e shtyrë, Eda shpreson që “trajtimi njerëzor” i promovuar nga administrata e Presidentit Biden, do të fillojë të zbatohet së shpejti.

“Vetëm Zoti i mban gjallë shpresat e mia, sepse tek ai kam besim dhe tek ai e kam dorëzuar çështjen time”, thotë ajo.

Eda shpreson se autoritetet amerikane do t’u japin atyre mundësinë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara dhe për t’u ribashkuar me vajzën e saj në Çikago./VOA