Prej 5 vitesh Lefterie Vlashi endet në dyert e spitaleve për shkak të problemeve shëndetësor të së bijës. Ndonëse jeton në Gramsh, mungesa e mjekeve atje e detyron që të vijë në Tiranë çdo javë për të marrë përgjigjet e analizave mbi ecurinë e sëmundjes së vajzës 21-vjeçare, e cila vuan nga një trombozë në veshka.

“Problemet e vajzës filluan që në moshën 16-vjeçare…”, Lefterie Vlashi.

Për shkak të pamundësisë ekonomike të familjes Vlashi, Ministria e Shëndetësisë vuri në dispozicion një fond të veçantë prej 10 mijë euro për të kryer operacionin në Stamboll. Por mesa duket as kjo nuk mjaftoi për të mbyllur një herë e mirë problemet. Pas disa muajsh nga operacioni fillojnë problemet me veshkën tjetër. Lefteria thotë se nuk ka asnjë mundësi ekonomikë të operojë sërish vajzën, ndonëse rrezikon jetën.

E bija, 21-vjeçare sot, përveçse vuan sëmundjen e rëndë është edhe viktimë e bullizmit. Për këtë arsye nuk pranon kurrsesi të flasë apo të identifikohet përpara kamerës. Prandaj është e ëma që kërkon ndihmë e gjendur në udhëkryq për jetën e së bijës. Mjekët në QSUT thonë se nuk e marrin përsipër si operacion. E vetmja mundësi është operimi në spitalet private ose jashtë vendit.

Për të qetësuar dhimbjet e veshkave 21-vjeçarja përdor këto ilaçe, të cilat nuk gjenden në Shqipëri. Sasinë që ka në dispozicion e ka marrë në Turqi pas operacionit, por ato janë drejt përfundimit.

“Edhe 3 ditë ilaçe kam”, tha Lefteria.

Zëvendësuesit e mundshëm që gjenden në vendin tonë, Lefteria thotë se nuk kanë sjellë asnjë përmirësim për të bijën. Në një kohë që QSUT ndodhet nën hetim nga prokuroria, ilaçet e veshkave mund të jenë pjesë e stokut të atyre medikamenteve të skaduara, të cilat po rrezikojnë jetën e mijëra pacientëve.

Klan Plus