Edhe pse është 24 vjeç, Elda Kocia është kthyer në model frymëzimi në rrjetet sociale për shumë vajza. Për Eldën nuk ka parametra perfekte, apo standarde të caktuara. Për të bukuria qëndron vetëm në shpirt. Në harmoni të plotë me qenien e saj dhe duke shijuar jetën pa paragjykimet e të tjerëve, Elda synon të kthehet në burim motivimi për të gjitha vajzat që ndoshta nuk ndihen mirë me trupin e tyre. Për këtë arsye në rrjetet sociale janë të shumta fotot e saj me bikini, shoqëruar me statuse origjinale dhe me vërtetësi.

Elda Kocia ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, nga ku tregoi se është përballur me paragjykime të shumta, por ia ka dalë të pranojë veten ashtu siç është.

“Trupi im ka ndryshuar më shumë 4 vitet e fundit. Unë kam patur një trup të mbushur, por më normal. Peshën e mora për shkak të tiroideve. Gjithmonë jam kujdesuar për ushqimin dhe aktivitetin fizik, por ndryshimi që pësova ishte rreth 10-15 kile. Por për mua ka qenë fat i madh që kam punuar më shumë me të huaj dhe fakti që atyre i dukesha e bukur dhe trupi im shumë normal më ka ndihmuar shumë. Por pavarësisht kësaj çdo ditë jam përballur me paragjykime dhe me persona që më thonë dobësohu. Fillimisht çfarë nuk kam përdorur që të dobësohesha, por nuk funksionojnë. Kam provuar shumë gjëra dhe para 4 vitesh i thash vetes boll, ky është trupi im dhe unë duhet ta pranoj”,

tha Kocia.

Gjatë emisionit ajo dha edhe një këshillë për të gjitha vajzat teksa tha se nuk duhet të ndjekim asnjë shembull.

“Ne nuk duhet të ndjekim asnjë shembull. Nuk mund të ndjekim dikë nga pamja fizike, sepse nuk është e natyrshme që të ndryshojmë strukturën e trupit tonë për të qenë një Barbie”,

tha ajo.

/tvklan.al