E ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan ka qenë një nënë e re e 4 fëmijëve, ku ka treguar historinë e dhimbshme të jetës së saj mes dhunës dhe torturave që ajo ka kaluar me bashkëshortin e saj. Ajo ka 15 vite që është martuar me të, por pasi u lodh nga situatat që krijonte bashkëshorti që kishte dhe probleme mendore, vendosi të divorcohet.

Përgjatë  tre viteve të fundit,  vetëm vitin e parë qëndruan larg njëri-tjetrit dhe më pas ritentuan edhe një herë të bashkoheshin por më kot, në dy vitet që qëndruan bashkë sërish nuk kishte ndryshuar asgjë, ndaj para dy javësh 31-vjeçarja iku sërish, kësaj here për të mos u kthyer më.

Ka shkuar sërish në një fshat të Cërrikut tek familja e saj dhe ka marrë me vete vetëm fëmijën më të vogël 5-vjeçar. Tre fëmijët e tjerë i ka lënë tek shtëpia në fshatin e Gramshit, me babain e tyre, pasi kanë dhe shkollën aty. Ajo nuk punon pasi në fshatin ku ajo është nuk ka punë. Merr vetëm 39 mijë lekë të vjetra asistencë si ndihmë ekonomike. Dëshiron të mos jetojë më në fshatin ku është që s’ka variant punësimi, të gjejë një punë dhe një strehë që të mos u bëhet më barrë prindërve dhe të mund të mbajë fëmijët e saj.

Mirela Milori: Po ty të do?

31-vjeçarja: Ai më thotë se më do, por prap nuk jam e sigurt, është një dashuri me dhunë, nuk është një dashuri e pastër. Unë e kam dashur shumë por tani jam në mëdyshje, por prap nuk e urrej edhe pse më ka bërë shumë keq.

Mirela Milori: Është dashuri apo dhemshuri, e bën dot ndryshimin?

31-vjeçarja: Më shumë më dhimbset se dhe për atë nuk ka qenë e lehtë, ka vuajtur shumë nëpër spitale. Ka bërë gjeste jo të hijshme për moshën që ka, por prap… Ai nuk e kishte vetëm me mua, e kishte  me shumë njerëz sjelljen e dhunshme, me nënën me vëllain, i shante dhe i bërtiste njerëzve kot pa arsye. Vetëm fëmijët nuk i ka prekur asnjëherë me dorë. Nuk bëje dot një muhabet me të sepse acaroheshe. Nuk ka punuar asnjëherë dhe nuk kishte asnjë shok. Është një tip i mbyllur dhe nuk shoqërohet me asnjë.

Mirela Milori: Si i the stop dhe vendose të ndaheshe?

31-vjeçarja: Mora tre fëmijët, kam ikur, jam drejtuar tek Forumi i Gruas në Elbasan. Ata më kanë ndihmuar dhe më kanë strehuar për 6 muaj në qendër. Kam marrë ndihmën për 6 muaj sa vendosa që të ndahem. Fëmija i madh qëndroi aty, në atë kohe ishte 10-11 vjeç. 14 vjeç është tani djali i madh, i dyti është 10 vjeç, i treti 8 dhe i katërti 5 vjeç. Lashë djalin e madh aty sepse donte të rinte me të atin. Gjykata më dha mua kujdestarinë e 3 fëmijëve, kurse kujdestarinë e djalit të madh ia dha të atit.

Gruaja tregon se pas dy vitesh është rikthyer sërish me të me idenë që ka ndryshuar. Vitin e parë nuk ishte keq ndërsa vitin e dytë filloi sërish e njëjta histori. Dhuna filloi prap, ishte e sëmurë dhe nuk merrte as ilaçe dhe kurime. Madje djali ka filluar ta refuzojë atë dhe të mos e dojë, pavarësisht se ka qenë prezent në zenkat e tyre. Aktualisht ajo ka lënë 3 fëmijët e saj tek burri, ndërsa ka marrë me vete vetëm djalin e vogël. /tvklan.al