Nuk u pranua në shkollë deri në klasën e 5-të, por sot pret të futet në master

Historia e dytë e përcjellë në programin “Historia ime“, nën drejtimin e Mirela Milorit është historia shumë e veçantë dhe aspak e lehtë e një djali 23-vjeçar, i cili është në karrige me rrota dhe është vetëshkolluar deri në klasën e pestë.

Kur ishte foshnjë vetëm dy-javëshe, Agustin Aramadhi u prek nga sëmundja e pneumonisë, një sëmundje e cila e la të paralizuar përgjithmonë. Fëmijëria e tij ka qenë e vështirë. Agustini nuk shkoi në kopsht si bashkëmoshatarët e tij dhe madje as në shkollën fillore. Në asnjë institucion arsimor nuk u pranua për shkak të gjendjes së tij fizike. Për këtë arsye, ai u detyrua të studionte në shtëpi me prindërit e tij.  Në moshën 11- vjeçare nisi shkollën, duke hyrë direkt në klasën e pestë.  Sot punon dhe është në pritje për të ndjekur studimet master.

Për të folur më shumë për këtë histori ka qenë të ftuar: Zv. Ministrja e Shëndetësisë, Bardhylka Kospiri dhe avokati Ilir Korbi.

Mirela Milori: Agustin duket sikur nuk ka qenë aspak e lehtë?

Agustin Aramadhi: Vërtet nuk ka qenë e lehtë, pasi vështirësitë kanë qenë pas diagnostikimit tim, dy javë pasi kam lindur, në ’96. Më pas, normalisht prindërit e mi u munduan që të gjenin një kurë ose trajtim rehabilitues, por për polimelitin është diçka që në atë kohë nuk ekzistonte dhe madje as sot nuk ka teknika të duhura për diçka të tillë. Normalisht, pastaj sfida tjetër që erdhi pas shëndetit ishte shkollimi, ku u munduam që në klasën e parë për sa i përket moshës, por edhe parashkollor që unë të regjistrohesha dhe të futesha në sistemin arsimor si çdo fëmijë tjetër. Por në atë kohë kushtet, infrastruktura dhe fatkeqësisht mentaliteti nuk e lejonte diçka të tillë. Jam shkolluar në shtëpi me anë të prindërve, deri diku në klasën e pestë, pra filloren e kam marrë në shtëpi. Më pas u krijua mundësia që të bëhej një provim tek Drejtoria Arsimore Rajonale në Tiranë dhe unë të kualifikohesha për klasën e pestë, madje tre muajt e fundit  të klasës së pestë dhe që aty falë Zotit vazhdoi në rrjedhën e duhur arsimi le të themi…

Mirela Miloti: Deri në klasë të 5-të, Agustini nuk ka qenë në shkollë dhe jo se nuk ka dashur por s’ka pasur infrastrukturë dhe nuk e kanë pranuar. A mundet ky individ, familja e tij ta hedhë në gjyq dhe të ketë një çështje të hapur, atëherë them se tani.. Pra mund të ketë njerëz që na ndjekin dhe mund të jenë në këtë situatë, është në konflikt shkolla, Ministria e Arsimit, drejtoria arsimore e rajonit përkatës?

Ilir Korbi: Absolutisht! Kuadri aktual është shumë i plotësuar. Agustini dhe çdo person tjetër i interesuar ka të drejtë ta ndjekë këtë çështje në rrugë administrative, por edhe ligjore duke iu drejtuar gjykatës.

Mirela Milori: Megjithatë historia vazhdon, në moshën 14 vjeçare, ti përballesh me një komplikacion shumë serioz në jetën tënde dhe mjekët shqiptarë të dhanë shumë pak shpresë apo jo?

Agustin Aramadhi: Komplikacionet ishin gjatë gjithë kohës prezente, pasi sëmundja më la me disa pasoja dhe një ndër ato kryesore, që ishte dhe e rrezikshme për jetën ishte formimi i një skolioze në shpinë, që në Shqipëri skishte kurrfarë lloj trajtimi. E vetmja zgjidhje ishte jashtë Shqipërisë dhe jo diku nëpër Europë, por ishte Amerika.

Mirela Milori: Dhe dolën dy engjëj të tjerë për ty aty, Chris dhe Laura Dakas?

Agustin Aramadhi: Po! Gjatë kësaj kohe që kishin nisur komplikacionet isha njohur me këtë çift amerikan.

Mirela Milori: Në Shqipëri nuk të dhanë shpresë, 25 % nga 100 % apo jo?

Agustin Aramadhi: Diçka e tillë dhe ishte goxha e rrezikshme..

Mirela Milori: Sa operacione u kryen në Amerikë?

Agustin Aramadhi: Në rangun prej 5 muajsh u kryen 6 operacione. Minimalja për sa i përket kohëzgjatjes në sallën e operacionit, ka qenë 4-5 orë ndërsa më i gjati 18 orë.

Mirela Milori: Ti u ktheve në Shqipëri dhe vazhdove studimin, gjimnazin?

Agustin Aramadhi: U ktheva aty ku e lashë. Më saktë bëra disa provime për të kaluar ato muajt e humbur të shkollës, i kalova me sukses dhe nuk humba asnjë vit tek shkolla. Pastaj shkova në shkollë të mesme të përgjithshme, më pas mbarova Bachelorin që tani diplomohem për shkenca politike.

Mirela Milori: Ti je një shembull shumë interesant sepse ke studiuar dhe ke punuar?

Agustin Aramadhi: Po e vërtetë sepse jam pjesë e një intershipi pranë një kompanie telekomunikacioni private. /tvklan.al