Dy vajza binjake të moshës 9-vjeçare rezultojnë të zhdukura që prej zjarreve katastrofike të së hënës në Mati, rajon afër Athinës. “Kathimerini” raporton se mëngjesin e së Mërkurës, pas dyshimeve për rrëmbim të mundshëm të tyre, për binjakët është lëshuar edhe alarmi Amber.

Historia e binjakeve u kthye në një thriller kur babai i tyre, Yiannis Philippopoulos, tha se i kishte parë dy vajzat, Sofia dhe Vasiliki Philippopoulos, duke zbritur nga një varkë që transportonte të mbijetuarit e zjarrit, të cilët në përpjekje për të shpëtuar jetët ishin hedhur në det.

Philippopoulos tha se ai dhe bashkëshortja e tij kishin kontrolluar spitalet, stacionet policore dhe një morg para se t’i shihnin ato në televizor. Por, më vonë rezultoi se vajzat në varkë nuk ishin vogëlushet 9-vjeçare. Emrat e tyre nuk ishin në listën e pasagjerëve në varkë, ndërsa burri që qëndron pranë tyre në foto pretendoi se ishte babai i tyre.

Babai i nëntëvjeçareve dërgoi pamjet në polici, por nuk ka informacion të mëtejshëm mbi vendndodhjen e tyre. Gjyshërit e vogëlusheve, tek të cilët ato kishin shkuar për pushime kur filluan zjarret, rezultojnë të zhdukur gjithashtu.

Të paktën 81 persona mbetën të vrarë dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur pas zjarreve që përfshinë distriktin Mati, mbrëmjen e së hënës, duke i zënë njerëzit në makina dhe buzë shkëmbinjve, ndërsa të tjerë humbën jetën në det.

Departamenti i Zjarrfikësve tha se bilanci i viktimave mund të rritej teksa ekipet po kërkonin në mbi 2 500 shtëpitë e shkrumbuara, ndërsa shpresat për të gjetur të mbijetuar edhe në mesin e atyre që janë hedhur në det janë shuar.

Greqia po përgatitet t’i shpallë këto si zjarret më vdekjeprurëse në historinë e vendit pas lufte. Ndërsa zjarri më me pasoja në Europë deri më tani rezulton ai i Landes, në jugperëndim të Francës në vitin 1949,  i cili u mori jetën 82 personave. /tvklan.al