Që nga prishja e marrëdhënieve me Jugosllavinë dhe në vazhdim, nga kufijtë veri-lindor të vendit kanë ardhur me dhjetëra e qindra kosovarë, të cilët të detyruar nga politika diskriminuese që ndiqte regjimi i Beogradit, braktisën trojet e të parëve.

Një nga ata që u arratisën në vitin 1951 nga ish-Jugosllavia është edhe Gani Ratkoceri, një djalosh që erdhi plotë shpresë drejt Kukësit. Kosovari i parë që mbaroi universitetin në Shqipëri gjatë sistemit komunist.

Mësuesi që arrestohet dhe merr pafajësinë vetëm në vitin 1984 foli për zhgënjimet e jetës së tij. Letra që i dërgon Mehmet Shehut dhe takimi me Manush Myftiun janë disa nga momentet ku u ndal gjatë rrëfimit të tij për “Histori me Zhurmues”, të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço.

Viti 1951 është edhe viti kur regjistrohet trofeu i parë i klubit të futbollit Dinamo. 4 kampionate dhe 3 kupa republike menjëherë pas krijimit të klubit flasin për nivelin e lartë të kësaj plejade dhe diktatin që vendosi Dinamo në futbollin shqiptar.

I ftuar në emisionin e sotëm ishte Sabri Peqini, i vetmi futbollist i mbetur gjallë nga ky ekip. Ish-kapiten i Dinamos, ish-lojtar i kombëtares, ish-trajner i Labinotit dhe ekipit Shpresa, specialist i futbollit pranë FSHF-së për një kohë të gjatë, rrëfeu për jetën e tij kushtuar futbollit, kësaj loje magjike që ishte aq popullore në ato vite./tvklan.al