Këshilla e Klodiana Lalës për të rinjtë që synojnë të bëhen gazetarë, fillimisht është t’i shkojnë prapa lajmit dhe të ndjekin ngjarjen. Së dyti, të kuptojnë se nuk është një profesion që i pasuron financiarisht, por shpirtërisht.

Lala u shpreh në “Aldo Morning Show” në Tv Klan se për të arritja më e madhe profesionale është që ka arritur t’u fitojë besimin njerëzve dhe të ketë në dorë histori, shumë prej tyre ende të patreguara. Një ndër to, një rrëfim tronditës të cilin planifikon ta transmetojë së shpejti, e ndan me programin. Bëhet fjalë për një burrë të abuzuar seksualisht, një traumë që familja e tij nuk e ka mësuar kurrë.

Klodiana Lala: Para pak ditësh, do ta transmetoj besoj së shpejti, intervistova një burrë të abuzuar seksualisht. E pyeta,” i thashë kur do t’ia thuash familjes, kur do ta gjesh kurajën?”

Aldo: Domethënë ky ishte një njeri që ishte abuzuar seksualisht dhe familja nuk e dinte?

Klodiana Lala: Nuk e dinte sepse rrethanat janë të tilla.

Aldo: Kur thua familja ishte bashkëshortja me…

Klodiana Lala: Fëmijët. Për shkak të rrethanave, nuk dua të nxjerr shumë detaje…

Aldo: S’ka rëndësi, ka edhe kështu historish?

Klodiana Lala: Patjetër dhe rasti është i trishtë. Më tha “do ta gjej momentin”. “Kur?”, i thashë. Tha “në 20 sekondat e fundit të jetës”. “Përse?”, i thashë. “Sepse unë dua t’u tregoj atyre dhe t’u kërkoj falje për ato momente kur kam qenë i ashpër me ta për shkak të traumës që unë kam kaluar”. Në një moment i kapa dorën dhe kuptova që më bëri të reflektoj ndryshe dhe më bëri ta vlerësoj shumë jetën, ta vlerësoj shumë, ndieja veten realisht me fat se sa mirë gjërat më kishin shkuar mua apo shumë si puna ime ndërkohë që ai njeri për rrethana të pavarura prej tij ishte gjendur në një situatë të tillë./tvklan.al