Në emisionin “Historia ime” në Tv Klan është rikthyer sot Elmie Halili, nëna e 4 fëmijëve nga Tirana, e cila ka kaluar një martesë të vështirë dhe tregoi se ishte dhuna e ushtruar në familje.

Elmia në atë kohë nuk përfitoi një urdhër mbrojtjeje edhe pse e dërguan menjëherë në Spitalin e Traumës për shkak të plagëve të shkaktuara nga dhuna që ushtruan ndaj saj burri, vjehrra dhe kunata.

Ajo nisi procedurat e divorcit, të cilat iu ndërprenë sepse nuk i ndiqte dot ndërsa ishte në punë. Gjyqi mbeti i papërfunduar dhe ajo është ende e martuar ligjërisht me bashkëshortin e dhunshëm, por vendosi të largohej nga shtëpia së bashku me fëmijët dhe të jetonte me qira.

Elmia u njoh me dikë tjetër, me shpresën për të krijuar një familje më të mirë dhe bashkëjetoi me të në Elbasan, së bashku me 3 fëmijët e saj dhe gëzonin një raport të mirë me të.

Por, sërish nisën problemet, pas vdekjes së mamasë së bashkëjetuesit të saj u shpërngulën në Vlorë ku morën me qera një shtëpi e një lokal ku punonin të dy. Ai ishte xheloz dhe ushtronte dhunë ndaj saj, policia nuk i dha asnjë ndihmë dhe Elmia kthehet në Tiranë, këtë herë me një fëmijë tjetër me vete që erdhi si fryt i kësaj bashkëjetese.

Ajo nuk merr ndihmë për fëmijët nga asnjëri nga baballarët e fëmijëve, as ndihmë sociale dhe të afërmit e saj nuk munden ta ndihmojnë sepse gjenden gjithashtu në vështirësi ekonomike. Punon si sanitare në shtëpi të ndryshme, por është tejet e lodhur nga një divorc që nuk po mbaron, vështirësitë ekonomike dhe fakti që nuk po mundet t’iu ofrojë një jetë të mirë fëmijëve të saj.

Elmia është ftuar sërish në emision pasi për të është ofruar një ndihmë nga dikush që kërkon të mbetet anonim, i cili për një vit do të paguajë qeranë e shtëpisë ku banon Elmia me 4 fëmijët e saj.

Gjatë kësaj kohe, Elmia duke patur një problem madhor më pak siç është pagesa e përmuajshme e qerasë, do të jetë në kërkim të një pune që do t’i lejojë të përmirësojë disi gjendjen ekonomike. /tvklan.al